Aktori i njohur i humorit, Julian Deda, ka reaguar pas akuzave të publikuara nga portali “Prapaskena”, sipas të cilave ai qëndron pas një profili në Instagram me emrin “ON/OFF TV”, i cili prej disa javësh ka publikuar materiale kritike dhe sulme ndaj figurave të njohura të ekranit.
Në artikull pretendohet se llogaria është krijuar pas përfundimit të bashkëpunimit të Dedës me “Fiks Fare” dhe se përmes saj janë sulmuar personazhe të disa televizioneve shqiptare, mes tyre Top Channel, TV Klan dhe Syri TV. Një prej postimeve të përmendura në artikull është ai ndaj moderatorit Edi Manushi, i cili është etiketuar nga faqja me termin “Epsteini shqiptar”.
“Prapaskena” pretendon gjithashtu se aktori është nën hetim nga strukturat e Krimit Kibernetik për fyerje dhe shantazh ndaj kolegëve, ndërsa artikulli ngre pretendimin se adresa personale e emailit të Julian Dedës është përdorur për hapjen e llogarisë.
Përballë këtyre akuzave të rënda, ka reaguar vetë aktori, duke i mohuar kategorikisht. Përmes një deklarate, Deda shprehet se është i tronditur nga pretendimet dhe se nuk do të ndërmerrte një veprim të tillë ndaj kolegëve apo televizioneve ku ka punuar.
“Është shumë e rëndë të dëgjoj apo të lexoj këto fjalë për mua. E përgënjeshtroj këtë fakt me gjithë fuqinë time. Nuk do guxoja kurrë ta bëja këtë, aq më tepër për vendet ku kam punuar dhe jetuar, aq më tepër për kolegët me të cilët kam punuar. Edhe njëherë, e përgënjeshtroj, se më shumë s’di ça të bëj në këtë vend. Kush më beson mirë, kush nuk më beson s’kam ça bëj. Faleminderit për mirëkuptimin”, përfundoi Deda.
Ndërkohë, pretendimet e publikuara nga “Prapaskena” për administrimin e faqes “ON/OFF TV” dhe për një hetim ndaj aktorit mbeten të pakonfirmuara nga burime zyrtare publike. Deri në këtë moment, nuk rezulton një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit apo Prokuroria që të konfirmojë këto pretendime.
Reagimi i Julian Dedës vjen kështu si një mohim i drejtpërdrejtë ndaj akuzave, ndërsa aktori ka zgjedhur ta bëjë publik qëndrimin e tij përballë debatit të krijuar.

Comments are closed.