Skip to content

Ervin Karamuço zbulon detaje nga jeta e Alket Rizait në Greqi:

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka folur në Euronews Albania për ngjarjen e fundit ku u përfshi Alket Rizai, i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili ditën e sotme duhet të kthehej në qeli pas lejes shpërblyese.

Bëhet fjalë për lejen e 17-të radhazi që Rizai ka marrë nga viti 2021 deri në 2026. Në 16 rastet e mëparshme ai ishte kthyer pa probleme në burgun e Koridhalosit në Greqi.

Lidhur me ngjarjen e fundit, e cila ndodhi të shtunën në mbrëmje, gjithçka nisi pas një konflikti për muzikën në lokal. Pronari i lokalit ka ulur muzikën, ndërsa Rizai e ka ngritur, më pas ka pasur debat dhe është përfshirë roja i lokalit. Rizai ka nxjerrë armën dhe është qëlluar edhe nga ana tjetër, ku në fund kanë mbetur të plagosur dy persona.

Karamuço kujtoi edhe arratisjen e bujshme të Rizait vite më parë me helikopter nga burgu i Koridhalosit, duke e cilësuar atë si burgun më famëkeq në Greqi për shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Është në zonën e sipërme të Pireut, me mbingarkesë të jashtëzakonshme. Komisionerët e OKB-së dhe Këshillit të Europës e kanë cilësuar trajtimin aty si torturë çnjerëzore. Është një burg me sipërfaqe shumë të madhe dhe kishte shumë afër një helioport”.

Sipas tij, pikërisht kjo hapësirë bëri të mundur uljen e helikopterit dhe arratisjen brenda pak sekondave, ndërsa kullat e vrojtimit qëlloheshin për të krijuar kaos. Edhe atëherë, shërbimet sekrete greke hetuan policinë për korrupsion dhe dyshime se arratisja ishte favorizuar me para, pasi Rizai u arratis së bashku me një bos të mafies greke.

Aktualisht, autoritetet greke kanë ngritur një alarm të gjerë për kapjen e tij. Ka post-blloqe në Athinë, në autostradën drejt Selanikut dhe kontrolle të rrepta në porte për mjetet lundruese, pasi dyshohet se mund të tentojë të largohet drejt Lindjes së Mesme me anije.

“Ai nuk është i sigurt jashtë, sepse grupe rivale prej vitesh kërkojnë kokën e tij. Është vetëm çështje kohe kur do të kapet. Policia greke ka një qasje shumë të fortë sa i përket interceptimit dhe inteligjencës. Policia greke ka një nivel shumë të lartë korrupsioni, eksponentë që prej vitesh kanë bashkëpunuar me eksponentë, Rizai ka lidhje me mafien ndërkombëtare, me policinë dhe me një pjesë të politikës greke. Është një njeri me shumë lidhje, nuk është një njeri që duhet marrë lehtë. Ai lejen e kishte jo për sjellje të mirë, por sepse garantonte qetësi në burg”, u shpreh Karamuço.

Published inBank

Comments are closed.