Këshilli i Ministrave ka vendosur ndryshimin e drejtimit të Autoritetit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, duke liruar nga detyra drejtorin e përgjithshëm Altin Jani dhe duke emëruar në këtë post Ermal Jaurin.
Vendimi është marrë me propozimin e Kryeministrit dhe parashikon që ndryshimi në krye të institucionit të hyjë në fuqi menjëherë, ndërsa akti do të botohet edhe në Fletoren Zyrtare.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e rregullave që lidhen me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, si dhe për standardet e sigurisë që duhet të respektohen nga institucionet që administrojnë të dhëna të kësaj natyre.
Altin Jani mbante detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit që prej vitit 2024. Ai kishte një eksperiencë të gjatë brenda këtij institucioni, pasi ishte pjesë e strukturave të tij që prej vitit 2012.
Me vendimin e fundit të qeverisë, drejtimi i institucionit i kalon Ermal Jaurit, i cili emërohet drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar.
Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave thuhet se ai mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës, si edhe në nenet 66 dhe 67 të ligjit nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të shkronjës ‘ç’, të pikës 1, të nenit 67, dhe të nenit 66, të ligjit nr. 10/2023, ‘Për informacionin e klasifikuar’, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi”, thuhet në dokumentin zyrtar.
Sipas vendimit, Altin Jani lirohet nga detyra e drejtorit të përgjithshëm, ndërsa Ermal Jauri emërohet në këtë pozicion.
“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”, përcaktohet në aktin e Këshillit të Ministrave, i firmosur nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
Vendimi shënon kështu një ndryshim të ri në drejtimin e një prej institucioneve që ka përgjegjësi të drejtpërdrejta në fushën e sigurisë dhe administrimit të informacionit të klasifikuar në vend.

Comments are closed.