Ndoshta shumëkush nuk e njeh kur e sheh përballë, por dikur, personi në foto ka mbajtur titullin princeshë në vendin tonë. E kemi fjalën për Elia Zaharian, që përgjatë vitit të fundit ka qenë kryefjalë e mediave.
Shkak për këtë është bërë ndarja nga Princ Leka dhe konflikti që dyshja pati pas ndarjes. Por teksa ish-bashkëshorti i saj ka rigjetur dashurinë dhe po planifikon martesën, Elia është rikthyer në të përditshmen e saj, krejt ndryshe nga sa ishte mësuar. Të shpeshta kanë qenë rastet, ku paparaci ynë e ka fotografuar aktoren në rrugët e Tiranës, ku duhet thënë ajo zgjedhë gjithnjë thjeshtësinë.
E tillë është edhe poza e fundit, ku Elia ishte së bashku me mamanë e saj, aktoren e njohur Yllka Mujo. Me pantallona të errëta, xhup të gjatë dhe një golf ngjyrë blu, të cilit ia kemi parë shpesh herë veshur, Elia kishte gjetur kohë për një shëtitje me mamanë e saj. Me flokët e kapura thjeshtë, pa make-up apo taka, ajo duket se i ka lënë pas ditët mes luksit dhe jetës mondane. Tashmë, Elia është rikthyer edhe në skenë, ku zgjedhë prakticitetin në të përditshmen, duke hequr dorë nga formaliteti që titulli që mbante ia impononte. Aktorja, është rikthyer tek profesioni i saj, ku të shpeshta i ka pasur performancat, por edhe rolet ndërkombëtare. Në postimet e saj të fundit në rrjetet sociale, Elia shfaqet në aktivitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Vetëm pak muaj më parë, ajo ishte në Itali, ku filmi i fundit ku ajo merr pjesë si aktore, u vlerësua me çmim ndërkombëtar. Tashmë që nuk ka më titullin Princeshë, Elia është rikthyer tek profesioni i saj, aktrimi. Ndonëse nga divorci përfitoi një vlerë monetare dhe shtëpi, sërish duket se Elia i duhet një punë për të fituar të ardhurat e saj, që tashmë janë krejt të ndryshme nga ato që ishte mësuar. Veç filmit më të ri, Elia ka udhëtuar edhe drejt Zvicrës, në një aktivitet, organizuar me komunitetin shqiptar atje.
Duket se tashmë, si një grua e divorcuar, ajo ka vendosur që të përqendrohet tek karriera, por edhe të ardhurat, duke u përpjekur të vijojë aty ku e la përpara se të shkëputej përpara se t’i dedikohej jetës mbretërore. Kujtojmë se pas ndarjes konfliktuale nga Princ Leka, një tjetër episod që shkaktoi shumë zhurmë ishte edhe përplasja fizike, që ajo dhe babai i saj patën me Princ Lekën. Elia Zaharia dhe Princ Leka, të cilët janë pajisur me urdhër mbrojtje ndaj njëri-tjetrit, konfirmuan më 15 janar se kishin nisur procedurat e divorcit, pas disa muajsh thashetheme se i kishin dhënë fund martesës. Ndërkohë më 5 mars, çifti u përplasën fizikisht me njëri-tjetrin brenda rezidencës mbretërore, sherr ku u përfshi edhe babai i Elia Zaharisë, Gjergj Zaharia, pamje që u bënë edhe virale në media. Princ Leka hodhi në gjyq ishbashkëshorten, me të cilën ka një vajzë, Geraldina dhe ish-vjehrrin. Gjithashtu, baba e bijë paditën për dhunë 42- vjeçarin. Gjykata Civile e Tiranës firmosi dy urdhër mbrojtje për Princ Lekën dhe ish-bashkëshorten Elia Zaharia, në proces divorci.
Elia Zaharia dhe Princ Leka janë zyrtarisht të ndarë, pasi Gjykata e Tiranës vendosi më 25 prill të zgjidhë martesën mes çiftit të njohur. Nga marrëveshja e divorcit, aktorja ka përfituar në një apartament 257 m2, i cili është në emrin e të bijës. Nga ana tjetër, Princ Leka pasi është divorcuar zyrtarisht nga Elia Zaharia, tashmë trashëgimtari i kurorës, del hapur me partneren e re, fotografen Blerta Celibashi. Burime pranë çiftit, bëjnë me dije se tashmë ka përfunduar edhe gjyqi i fundit mes dy ishbashkëshortëve, çifti është duke menduar për dasmën e tyre.
Ndryshe nga martesa e parë, me Elian, që në Tiranë mbërritën familje të shumta mbretërore, këtë herë me Blertën, ceremonia do të jetë më private, duke dashur që të kurorëzojnë dashurinë e tyre vetëm pranë rrethit të ngushtë. Miqtë e dyshes bëjnë me dije se si Leka ashtu edhe Blerta janë shumë diskret për të folur për dasmën e tyre, ndonëse rrethi i ngushtë është njohur tashmë me detajet e para. Prej disa muajsh, dyshja është duke bashkëjetuar dhe pranë kësaj marrëdhënie është edhe Geraldina, në kohën që ajo shpenzon me babain e saj.