Berisha fitoi, Ne humbëm

Sali Berisha sot është Kryetari i vërtetë i Opozitës. Ushtria e drobitur prej tri viteve luftë brenda vetes, është rimbledhur në repart, ushtarët kanë veshur uniforma të reja dhe presin urdhra nga Komandanti ose sejmenët e tij përcjellës. Nga reparti janë përjashtuar të gjithë ata njerëz që kishin një mendim të tyre. Janë aty ata që mendojnë me mendjen e Komandantit.
Berisha ka 50 deputetë të emëruar prej dorës së tij, ka vulën e PD-së me të mirat që rrjedhin prej saj dhe ka fashitur çdo kryengritje të brendshme potenciale. Çdo betejë e tij me Drejtësinë nga ky moment, do të jetë më e kollajtë për tu fituar. Të paktën në mendjen e Berishës.

Në raport me ndërkombëtarët “non grata” nuk po i prish ndonjë punë të madhe. Fundja as ka moshë dhe energji tani të bredhë botën.
Ka një problem të vogël këto ditë sepse duhet orientuar gjithë zemërimi i ndjekësve drejt vjedhjes dhe rrëmbimit të votës. Gjithë përfituesit e pushtetit të tij janë lëshuar me piskamë drejt hajdutit. Një retorikë e vajtueshme, viktimizuese, e përkatërvjetshme që shuhet si shiu i Majit pas dy javësh.

Zërat protestues vijnë duke u mekur dhe shpejt vjen vera. Berisha shkon të notojë e të ecë në muzg a ag, rrogëtarët e tij bëjnë gati votimin qesharak për Kryetarin e ri dhe votuesit iu kthehen edhe njëherë halleve të tyre ekzistenciale të tmerrshme!
Duhet të presin edhe 4 vjet për Komandantin…
Sali Berisha mori atë për të cilën kishte hyrë. Ai kishte hyrë për t’i humbur zgjedhjet dhe për të legalizuar Partinë. Të dyja këto i arriti. Lista e kandidatëve të PD-së fliste qartë më shumë sesa çdo fjalë e tij në takime: “Dua vetëm besnikë, qëndrestarë të momenteve të vështira dhe njerëz të paaftë.”

Ishte bash e kundërta e vitit 2005 kur mori gjithë kundërshtarët e tij me emër për tu përballur e fituar. Në fund të fundit humbja nuk do të ishte e tij, humbja është e popullit të Opozitës.
Këtë e kishin kuptuar të gjithë përveç militantëve. Grumbulli berishist që nuk pranon të ndezë motorin e mendimit sigurisht ishte me shpresa të mëdha e të pashuara. Ata janë si flamurtari në luftë, nuk dorëzohen kurrë. As mbas humbjes.
Por përtej tyre, njerëzit kishin filluar të merrnin masat e veta. Meqë Berisha e mori bajrakun e vet dhe do ta ndajë me Mulin, Vokshin, Melisën dhe Erisën e jo me njerëz që kanë ide dhe vota, le ta mbajë.

Ata kishin dy rrugë. E para të ishin si milingona punëtore që do mblidhnin vota për eunukët intelektualë të Berishës në listat e hapura si sejmenë të sejmenit. Ose të dilnin e të përpiqeshin për vete. Rruga e dytë ishte ku e ku më e vështirë por sigurisht më dinjitoze se e para. Dhe formuan ushtritë e tyre të vogla me vuajtje, përpjekje, sharje e mallkime berishiste! Një herë e një kohë, kur dikush fliste kundër Komandantit brenda PD-së, të gjithë i vërsulshin: “Pse nuk krijon Partinë tënde ti e të shohësh sa të vlen lëkura”?
Kur e krijon Partinë të thonë: “Çon ujë në mullirin e Edi Ramës, je krijesë e tij”!
Në fakt, në mullirin e Edi Ramës çoi ujë Berisha që i largoi.
Njerëzit kanë ambicie, nuk pranojnë të jenë zare të një sejmeni si Flamur Noka. Nëse përfundojnë aty, ikin. Sepse mendojnë që janë më të aftë se aq.

Po a i vodhi Edi Rama zgjedhjet?

Unë nuk e di se nuk jam në terren. Por të supozojmë që i ka vjedhur totalisht. Ka vjedhur 400 mijë vota, në çdo zonë elektorale, në çdo qytet, fshat, lagje shtëpi. I ka blerë. Përmes favoreve, pensioneve, faljes së gjobave e njëmijë mekanizmave të pushtetit.
Ka bërë masakër elektorale! Po, fajtori kryesor i kësaj masakre është Edi Rama.
Por ç’do të bëjmë? Të qahemi, viktimizohemi? Të ankohemi te ndërkombëtarët? Mendoni se dikujt do t’i vijë gjynah dikujt për ne?

Qaramanë prej 12 vitesh. Të nënshtruar, ankues, akuzues, besnikë pa kushte. Dhe zhurmaxhinj. I marrin erzin atij që mendon ndryshe.
Bëni pra diçka! Fjalët nuk pijnë ujë më.

Militantët e vuajnë arrogancën e pushtetit, mungesën e një vendi pune, vështirësitë e biznesit, shpërfaqjen e hapur të krahinizmit, mungesën totale të nëj pushteti sado të vogël. Bëni diçka për ta. Ose lironi vendin dikujt tjetër!

Unë votova kundër Berishës me bindje të plotë. Do ta bëj sa herë të kem alternativë të vetme një Parti dogmatike, të plakur, eunuke, qaramane, dhe viktimizuese. I vetmi dëshpërim që kam për këto zgjedhje është që Partitë e reja, të gjitha, nuk morën mandatet e merituara. Me mundime të mëdha morën 3-4 deputetë, me zemër në dorë.

Nuk duhet të dekurajohen kurrsesi. Për sa kohë Partinë Demokratike e udhëheqin dogmatikë, injorantë e servilë, njerëzit do ta braktisin çdo herë e më shumë. Presioni i tyre do ta reformojë atë Parti dhe ndoshta mund të krijojnë kushte për një frymë të re.
Kjo është një përpjekje për të bërë diçka.