Pavarësisht zhurmës së madhe mediatike dhe skandalit personal që e vuri në qendër të vëmendjes – pasi u akuzua se kishte një lidhje me gruan e një kolegu të tij socialist – kryebashkiaku i Tepelenës, Termet Peçi, ka arritur një rezultat spektakolar në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Peçi renditet i dyti në rang kombëtar për numrin e votave preferenciale, duke lënë pas shumë emra të njohur e figura politike me dekada në skenë. Ai ka grumbulluar mbi 10 mijë vota preferenciale, duke treguar se në sytë e elektoratit të majtë – veçanërisht në zonën e Gjirokastrës – ai vijon të gëzojë një mbështetje të fortë.
Në një kohë kur shumë kandidatë të PS-së janë përballur me apati elektorale dhe indiferencë të theksuar të votuesve, rezultati i Peçit është një “çmim i madh” politik – një rikthim triumfal që i jep jo vetëm legjitimitet publik, por edhe ndikim të shtuar brenda vetë strukturave të partisë.
‘Ramën do ta ha të gjallë’, Alizoti bëhet vegjetarian pas humbjes, ja cfare thote
Skandali që shpërtheu muaj më parë, ku përflitej për një lidhje intime mes Peçit dhe bashkëshortes së një kolegu të tij socialist, ndezi rrjetet dhe krijoi jo pak tensione brenda familjes politike të PS-së. Megjithatë, mesa duket, as thashethemet, as valët e kritikave publike nuk kanë ndikuar në besimin që elektorati ka ndaj tij.
Madje, për disa analistë, ky rezultat mund të shihet si një “sfidë ndaj moralit politik të rremë”, një lloj votë sfiduese ndaj hipokrizisë publike që shpesh dënon më fort skandalet personale sesa dështimet politike.
Termet Peçi duket se i ka mbijetuar jo vetëm furtunës së thashethemeve, por e ka shndërruar atë në trampolinë politike. Në një klimë ku çdo fjalë apo akuzë mund të rrëzojë figura publike, ai ka dalë më i fortë se kurrë, duke treguar se në politikën shqiptare, skandalet ndonjëherë jo vetëm që nuk të dëmtojnë – por të rrisin.