Skip to content

Del harta, ku do të kalojë rruga e re lidhëse e Tiranës me veriun e Shqipërisë: Shmanget Kamza!

Hyrja në Tiranë për ata që vijnë nga Veriu do të ndryshojë rrënjësisht, duke shënuar fundin e makthit të gjatë të trafikut në qendër të Kamzës dhe në kthesën e Laprakës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hedhur hapat e parë zyrtarë për ndërtimin e një Hyrjeje të Re Veriore, një aks strategjik prej rreth 17 kilometrash që do të devijojë të gjithë fluksin e mjeteve tranzit drejtpërdrejt në Unazën e Madhe të kryeqytetit.

Projekti i ri, i cili parashikohet të financohet nga buxheti i shtetit përgjatë viteve 2026-2028 me një fond limit fillestar prej 1.8 milionë euro vetëm për fazën e projektimit, do të ndryshojë përfundimisht hartën e lëvizjes në hyrje të Tiranës.

LEXO ‘Mora atë që më takonte’, Shehaj flet për incidentin në Kuvend: Jam mësuar të luftoj kur të drejtat mohohen
Si do të ndryshojë udhëtimi nga Veriu?

Deri më sot, çdo mjet që vinte nga Shkodra, Lezha apo Kukësi, detyrohej të përshkonte qendrën e Kamzës dhe të bllokohej në Kthesën e Kamzës. Me aksin e ri, ky itinerar fshihet.

Rruga e re do të funksionojë si një rrugë ndërurbane kryesore me katër korsi dhe do të ndjekë këtë gjurmë të re:

• Nisja: Mjetet që vijnë nga autostrada Thumanë–Kashar do të devijojnë menjëherë në pjesën jugore të nyjes së Rinasit (Km 0+000).

• Traseja: Rruga do të kalojë në periferi përmes fushave të Valiasit dhe Zallherrit (pranë Repartit Ushtarak), duke anashkaluar plotësisht zonën e banuar dhe qendrën e Kamzës.

• Përfundimi: Aksi i ri do të dalë direkt në Paskuqan, duke u lidhur organikisht me Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Lidhje direkte me Elbasanin dhe Korridorin VIII

Përveç shmangies së Kamzës, ky ndryshim sjell një avantazh të madh për mjetet që kanë destinacion juglindjen e vendit.

Shoferët që vijnë nga Veriu mund të futen në Unazën e Madhe në Paskuqan dhe të dalin direkt në autostradën Tiranë–Elbasan (Korridori VIII) pa u ndalur në asnjë semafor dhe pa hyrë fare në rrugët e brendshme të Tiranës.

LEXO I shërbeu komuinitetit për pesë dekada, ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare mjeku i njohur
Sipas Termave të Referencës të ARRSH-së, kompanitë projektuese kanë një afat prej 10 muajsh për hartimin e Projekt-Idesë (ku do të shqyrtohen dy variante të gjurmës) dhe 8 muaj të tjerë për Projekt-Zbatimin e detajuar.

Pas miratimit të raporteve të shpronësimeve dhe Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), projekti do të hapet për tenderimin e punimeve në terren. /kapitali.al

Published inBank

Comments are closed.