Ja kush do të na përfaqësojë në Kuvend…
Nëse dikur Kuvendi quhej tempulli i demokracisë, sot mund të shpallet pa frikë “Salla VIP” e të inkriminuarve, injorantëve dhe servilëve.
Lista e atyre që pritet të ulen në Parlament pas 11 majit është një kombinim i frikshëm mes anonimëve, personazheve me të shkuar problematike dhe atyre që më shumë i përkasin dosjeve të drejtësisë.
Tom Doshi, ka siguruar sërish një karrige në Kuvend, edhe pse është shpallur non grata nga SHBA, Britania dhe Australia. Akuzat për lidhje me krimin e organizuar duket se nuk përbëjnë më asnjë problem për standardin shqiptar të përfaqësimit.
Gjin Gjoni, ish-gjyqtari me pasuri sheikësh, i cili shmangu me dinakëri vetingun, rikthehet në skenën politike përmes listës së PD-së në Lezhë.
Tërmet Peçi, i njohur më shumë për gafat sesa për kontributin publik, jo vetëm që arrin të bëhet deputet, por e bën këtë edhe pasi është përballur me akuza për skandale seksuale para zgjedhjeve. Me sa duket, në Shqipëri, imuniteti fillon para mandatit.
Agron Malaj, ish-gardist i 21 janarit, ka rezultuar një nga më të votuarit në Dibër. Një gardist që dikur ‘shkrepi’ armë ndaj protestuesve, sot vjen në Kuvend si përfaqësues i qytetarëve që dikur i kishte në shënjestër.
Sara Mila, vajza “e re e politikës”, është më e votuara në rang kombëtar, ndërkohë që akuzohet për lidhje të ngushta me bandën e Suel Çelës në Elbasan. Shifra e votave të saj është e frikshme – jo nga popullariteti, por nga pyetjet që lind për mënyrën si u ndërtua ky rezultat.
Olsi Komici, ish-anëtar i Komisionit të Vetingut dhe më pas drejtues i AKU-së në kohën e skandalit të pulave me salmonelë, shpërblehet me mandat deputeti. Nga kontrolli i mishit në tryezat tona, në vendimmarrje për të ardhmen e vendit.
Ceno Klosi, me një dosje të hapur në SPAK për periudhën kur drejtonte Tatimet, do të jetë pjesë e legjislaturës së re. Në një vend normal, të tillët hetohen; në Shqipëri, votohen.
Zegjine Çaushi, do të jetë po ashtu deputete dhe kjo falë videove të saj të famshme në Facebook apo TikTok duke ironizuar Gaz Bardhin. Babloku “vdes” për të tilla personazhesh dhe do ta kemi deputete Zegjinenë.
Ndërkohë vijon të luftojë për një mandat Ornaldo Rakipi, djali i Aqif Rakipit, i sanksionuar nga Thesari i SHBA.
Ndërkohë që këta personazhe marshojnë drejt Kuvendit, figura me mbështetje reale si Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku luftojnë për një vend.
Ironia e fatit politik shqiptar: sa më shumë vota me meritë të marrësh, aq më pak mundësi ke të futesh në Parlament. Që të sigurosh mandat, duhet të jesh i lidhur me krimin, të kesh para dhe të ‘gajasësh’ liderin. /Pamfleti