Skip to content

Regjisori i madh Saimir Kumbaro letër Edi Ramës: Të rinjtë kërkojnë një arsye për të mos ikur! Jep dorëheqjen, ja mënyra si të ikësh

Regjisori i njohur Saimir Kumbaro u është bashkuar figurave të njohura të skenës dhe ekranit, të cilët kërkojnë nga kryeministri Edi Rama të marrë përgjegjësi për situatën ku ndodhet vendi, dhe rrjedhimisht të japë dorëheqjen.

Ai i drejtohet me një letër të hapur kryeministrit dhe thotë se 25 vjet më parë ai u ka premtuar shqiptarëve një jetë me dinjitet, ndërsa sot, pas 25 vitesh e vë rininë përballë dhunës.

“Një shtet nuk matet nga ajo që premton, por nga mënyra se si i trajton të rinjtë kur nuk i duhen për votë. Ti po i trajton me dhunë dhe me përbuzje. Prandaj po të them atë që e thonë sot mijëra zëra jashtë pallatit tënd: JEP DORËHEQJEN”, shkruan regjisori Saimir Kumbaro.

Më poshtë, letra e plotë e regjisorit Saimir Kumbaro për kryeministrin Edi Rama:

Letër e hapur Edi Ramës

Edi,

25 vjet më parë u premtove shqiptarëve një jetë me dinjitet. Sot, pas 25 vitesh, e vë rininë përballë dhunës. Të rinjtë e këtij vendi kërkojnë një arsye për të mos ikur, dhe ti u përgjigjesh me dhunë.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, i krahason me Francën. Kjo është fyerje. Në Francë, të rinjtë protestojnë sepse u mungon letra e tualetit dhe duan më shumë shërbime nëpër gjimnaze. Studentët shqiptarë protestojnë sepse nuk kanë shpresë. Ata nuk janë të pakënaqur me një shërbim, por me një vend që nuk u ofron të ardhme. Ta barazosh këtë me shqetësimet e një gjimnazisti francez do të thotë ose të mos e kuptosh, ose të mos duash ta kuptosh. Dhe të dyja janë të rënda për një kryeministër.

Një shtet nuk matet nga ajo që premton, por nga mënyra se si i trajton të rinjtë kur nuk i duhen për votë. Ti po i trajton me dhunë dhe me përbuzje.

Prandaj po të them atë që e thonë sot mijëra zëra jashtë pallatit tënd:

JEP DORËHEQJEN!

Jep dorëheqjen, sepse je përgjegjës për gjithçka që po ndodh.

Saimir Kumbaro
Regjizor

Published inBank

Comments are closed.