Kryeministri Edi Rama paralajmëron masa të reja ndaj personave që përfshihen në akte dhune gjatë protestave, përfshirë krijimin e një regjistri të posaçëm dhe kufizimin e aksesit në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti.
Gjatë deklaratës së tij, Rama bëri të ditur se qeveria ka nisur punën me vendet e Bashkimit Europian për të kufizuar aksesin e personave të identifikuar si të dhunshëm. Paralelisht, ai njoftoi investime në teknologji për identifikimin e personave të maskuar dhe profileve që, sipas tij, nxisin dhunën.
Një tjetër masë e paralajmëruar lidhet me përgjegjësinë financiare të familjeve të të miturve që shkatërrojnë pronën e të tjerëve. Rama tha se kostot do t’u faturohen familjeve dhe se familjet e të miturve të përfshirë në akte të tilla nuk do të marrin shërbime nga shteti.
Kryeministri i cilësoi sulmet ndaj bankave dhe bankomateve si pjesë të një skenari për të nxitur panik, ndërsa u bëri thirrje protestuesve të largohen nga dhuna. Në të njëjtën kohë, ai mbrojti dialogun dhe përballjen demokratike si rrugë për zgjidhjen e konflikteve.
“Ata që u turrën me gurë e me zjarr mbi banka, me një skenar djallëzor për të nxitur panik, ndërkohë që në sportelet e bankave nuk kanë asgjë për të marrë, duke shkulur ATM-të për të marrë brenda tyre para. Ndërkohë që ato janë në shërbim të të gjithëve dhe duhet të kthehen një orë e më parë. Ne do të nxjerrim paketën e masave, por duke investuar me shpejtësi në teknologji, do të nisim anonimizimin e profileve që nxisin dhunë. Do t’i zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur të rrinë me kapuç, edhe sikur ta mbulojnë të gjithë fytyrën, se do t’i ndjekim këmba-këmbës, përveç syve të teknologjisë.
Largohuni nga ajo dhunë një orë e më parë. Do të vijë fatura në familje, do të paguajë familja. S’do të marrë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronat e një tjetri. Ne do të vendosim në regjistër njerëzit e dhunshëm, do t’u mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, hotele, trena, të gjitha mjetet e transportit. Dhe do të bashkëpunojmë, dhe e kemi nisur punën me vendet e BE-së, për t’u ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm. Dhuna s’ka për të pasur vend në këtë vend. Dialogu, shkëmbimi i ideve, ballafaqimi demokratik, ulja në tryezë për të gjetur rrugë të reja, të cilat mund të na shërbejnë, siç na shërbyen në protestën e 2018-ës”, tha Rama.

Comments are closed.