Skip to content

Çfarë është 28 janari për Edi Ramën, që e detyron të…?

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, mesa duket ka nisur përballjen me ‘autorin’ e burgosjes së tij (siç e deklaroi vetë përmes avokatit të tij), Edi Ramën. Në ditët e fundit, situata politike brenda Partisë Socialiste ka qenë e tensionuar për shkak të ndryshimit të burgut të Veliajt pa dëshirën e tij, si dhe deklaratat e tij të fundit kundër Ramës dhe Toni Gogut (i cili përcolli kërcënimet e Ramës te Veliaj).

Ditën e sotme, Veliaj ka bërë një postim të gjatë me mesazhe të drejtpërdrejta, por po ashtu dhe të nënkuptuara kundër Ramës. Në një moment të postimit të tij, Veliaj i kujton Ramës një vit specifik… 2011. Ky vit do të mbahet mend gjatë në kujtesën e Ramës për shkak të ndodhive të atij viti, që nga protesta e përgjakshme e 21 janarit deri te humbja e drejtimit të bashkisë së Tiranës.

“Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në “28 janar” (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm”, shkruan Veliaj në postimin e tij.

Por pse janë kaq të rëndësishme këto data? Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe kohore në Shqipëri që Veliaj i rikthen në kohë dhe i përdor si mesazh drejt Ramës?

Për t’iu përgjigjur pyetjeve që ngrihen teksa lexon këtë peizazh nga postimi i Veliajt, duhet të rikthehemi pas në kohë dhe të kujtojmë se çfarë ndodhi atë ditë.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Më 21 janar 2011, mijëra qytetarë dolën në protestë përpara Kryeministrisë në Tiranë, në një tubim të organizuar nga Partia Socialiste, e drejtuar asokohe nga Edi Rama, kundër qeverisë së Sali Berishës. Protesta u thirr në një klimë të tensionuar politike, pas publikimit të videos së regjistruar në zyrën e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, ku ai shfaqej duke diskutuar për çështje të dyshuara korruptive me ish-ministrin Dritan Prifti.

Tubimi nisi si një protestë kundër qeverisë, por më pas situata doli jashtë kontrollit dhe u shndërrua në përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Përballë Kryeministrisë u përdorën gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës, ndërsa Garda e Republikës hapi zjarr me armë drejt protestuesve.

Si pasojë e të shtënave humbën jetën katër qytetarë: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Ngjarja shkaktoi tronditje të madhe në vend dhe u pasua nga akuza të ndërsjella politike, hetime dhe procese gjyqësore që u shoqëruan me polemika të shumta.

Por deri këtu është normale. Ajo që ngre pikëpyetje të shumta është ose thotë Veliaj që ishte aty në 21 Janar, kur në shesh ndodheshin mijëra protestues dhe e gjithë Partia Socialiste.

Po në 28 janar të po atij viti, çfarë ndodhi që e kujton Veliaj?

Vetëm një javë pas protestës së përgjakur në bulevard, Opozita dhe Mazhoranca kishin lënë të dyja një ditë për protestë dhe miting, 28 janarin. Rama shpalli 28 janarin si një ditë proteste tjetër në nder të viktimave nga protesta e 21 Janarit, por në të njëjtën ditë Berisha shpalli miting paralel në sheshin Skënderbej.

Situata ka qenë aq e tensionuar mes palëve sa u deshën ndërhyrje nga jashtë që të anuloheshin protestat dhe mitingjet, në mënyrë që të shmangeshin përplasje të tjera. Ndërhyrja e parë ka qenë nga ambasadori amerikan në vend, Aleksandër Arvizu.

Po ashtu ka ndërhyrë dhe miliarderi George Soros, i cili i dërgoi një letër Sekretares së Shtetit në atë kohë, Hillary Clinton, për të ndërhyrë në mënyrë që të shmangej përplasja.

Pas kësaj ka qenë Berisha si kryeministër që është tërhequr nga mitingu dhe për këtë Arvizu e ka quajtur si ‘Burrë Shteti’. Ndërsa Rama, nga protesta, ka bërë vetëm një marshim-homazh ku vendosën lule pranë vendeve ku 4 protestuesit u vranë para Kryeministrisë nga Garda.

Po në verën e 2011 çfarë ndodhi që e përmend Veliaj sikur i qëndroi Ramës pranë?

Gjithçka nisi më 8 maj 2011, ku u mbajtën zgjedhjet lokale në vend. Rama garonte për bashkinë e Tiranës përballë kandidatit të PD-së, Lulzim Bashës. Në numërimin e parë Rama doli fitues me 10 vota diferencë nga Basha. Por PD-ja e kundërshtoi këtë rezultat duke kërkuar që të numëroheshin dhe fletët e hedhura gabimisht në kutitë e tjera.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’i konsideronte këto fletë si vota të vlefshme. Pas rinumërimit, rezultati ndryshoi dhe Lulzim Basha u shpall fitues me 81 vota më shumë se Edi Rama. Pas procedurave të mëtejshme, rezultati përfundimtar u certifikua me 93 vota diferencë. Edhe pse Rama e kundërshtoi rezultatin, Basha u vendos në krye të Bashkisë së Tiranës.

Humbja e Bashkisë së Tiranës në vitin 2011 shkaktoi pakënaqësi dhe përplasje brenda Partisë Socialiste, ku Edi Rama u përball me kritika për mënyrën se si kishte drejtuar partinë dhe për rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit. Kritikat nuk kishin të bënin vetëm me humbjen përballë Lulzim Bashës, por edhe me strategjinë politike të Ramës, i cili prej vitesh drejtonte opozitën dhe nuk kishte arritur të sillte PS-në në pushtet.

Në këtë kontekst, Veliaj i kujton Ramës se ka qenë ndër të vetmit që i ka qëndruar besnik në momentet e tij më të vështira. Por mesa duket kjo nuk ka mjaftuar, përderisa Veliaj po vë në pikëpyetje dinjitetin e Ramës, si dhe e akuzon atë që po tenton ta përfshijë Veliajn në paligjshmëritë e tij.

Pse thotë Veliaj që isha më 28 janar? Çfarë nuk dimë nga ajo ditë? Çfarë ka bërë Veliaj për Ramën që thotë e di vetëm kryeministri? Por pikëpyetjet që mbeten për postimin dhe mesazhin e nënkuptuar të Veliajt kërkojnë ende përgjigje që vetëm Veliaj dhe Rama mund t’i japin. (Dosja.al)

Published inBank

Comments are closed.