“E qëlluan tri herë në tëmth”, dëshmia tronditëse dhe e rrallë e Nelit, vajzës 23 vjeçare që ishte e marrë peng bashkë me pasagjerët të tjerë në rrëmbimin më 1999 të autobusit nga Flamur Pisli pas keqtrajtimit që i bënë pronari punëdhënës dhe disa palo policë grekë. Neli tregon me detaje dhe vrasjen e shqiptarit Flamur Pisli nga policia në Elbasan. Dëshmitarja greke rrëfen momentet e fundit të Flamur Pislit në autobusin e rrëmbyer. Çfarë thotë ajo për ndërhyrjen e policisë shqiptare pranë Elbasanit në vitin 1999
Dëshmia e një 23-vjeçareje greke, e cila u mbajt peng nga shqiptari Flamur Pisli gjatë rrëmbimit të një autobusi në Greqi në maj të vitit 1999, hedh dritë mbi momentet e fundit të jetës së tij dhe operacionin e përgjakshëm të policisë shqiptare pranë Elbasanit.
Neli Karatsori, një nga tetë pengjet e rrëmbyesit shqiptar, përshkruan në dorëshkrimet e saj çastet kur forcat e ndërhyrjes hynë në autobus dhe qëlluan mbi Pislin.
“Dy persona të veshur me rroba të zakonshme, me kapuça të zinj të ngritur deri në ballë, më pyesin në greqisht: ‘Ky është shqiptari?’. Lëviz kokën lart e poshtë në shenjë pohimi. Sytë e rrëmbyesit dridhen. Ai që qëndron mbi kokën e tij e drejton revolen në tëmthin e tij dhe e qëllon tri herë”, rrëfen dëshmitarja, sipas gazetës greke “TA NEA” që citon noa.al.
Në dëshminë e saj, e reja tregon se Pisli ishte i gjunjëzuar dhe i plagosur kur u qëllua nga një person i armatosur. Ajo përshkruan gjithashtu frikën e tij pas kalimit të kufirit shqiptar dhe ndryshimin e sjelljes gjatë orëve të fundit të pengmarrjes.
Operacioni përfundoi me vdekjen e Flamur Pislit dhe pengut grek, 28-vjeçarit Jorgo Kuluri. Dëshmia e Karatsorit ngriti pikëpyetje për mënyrën e ndërhyrjes së policisë shqiptare dhe rrethanat në të cilat humbën jetën dy personat.
Ja shkrimi i plotë:
Ditari i tmerrit
“Rrëmbyesi ndodhet në këmbë mes rreshtit të dytë dhe të tretë të autobusit. Mbush armën. Të shtëna. Ulem në sediljen time sa më poshtë që të mundem dhe mbyll veshët. Dëgjoj britma dhe të shtëna armësh. Zgjasin disa minuta. Kthej vështrimin drejt pjesës së brendshme të autobusit pa u ngritur fare. Shoh rrëmbyesin të rrëzuar në gjunjë, gjaku i del nga gjoksi. Sytë i dridhen”.
Jashtë Elbasanit, ora 06:45…
Orët tronditëse që përjetoi në autobusin e KTEL-it të Selanikut, si peng i rrëmbyesit shqiptar Flamur Pisli, 23-vjeçarja Neli Karatsori i përcjell përmes një serie dorëshkrimesh të saj, të cilat janë siguruar nga gazeta “TA NEA” dhe pritet të botohen në një libër. Studentja e re e reklamës, që tani punon si studiuese tregu, në 56 faqe përshkruan minutë pas minute orët dramatike që përjetuan tetë pengjet e të riut të huaj, i cili donte “të provonte se mund të bënte diçka të madhe, se kishte guxim”, siç shprehet ajo në përshkrimin e saj.
Kohë më pas, hetimi i Drejtësisë mbeti “i bllokuar” dhe pyetjet kryesore rreth shkaqeve të rrëmbimit të autobusit, që tronditi mbarë Greqinë gjatë dy ditëve, 27–28 maj 1999, vazhduan të mbeten pa përgjigje. Pakënaqësia vazhdon të shprehet nga pengjet, të cilët panë me sytë e tyre se si 28-vjeçari Jorgos Kulluris, viktima tragjike e rrëmbimit, ra i vdekur nga plumbat e një polici shqiptar që vrau po ashtu dhe emigrantin Flamur Pisli.
Gjakftohtë
E fortë dhe një “përbindësh gjakftohtësie”, siç këmbëngul ajo duke folur për gazetën “TA NEA”, përshkruan kushtet e rrëmbimit dhe situatën që mbizotëronte brenda autobusit. “Besoj se dokumentimi i një ngjarjeje të tillë ka shumë më tepër për të thënë sesa një analizë e nxituar që nuk të çon në përfundime të sigurta”, theksoi Neli Karatsori.
“… Prezantohet, shpjegon paraprakisht veprimin e tij dhe kërkon një telefon celular. Thotë se quhet Antoni. Disa njerëz në Sholari nuk e kishin trajtuar mirë dhe tani kishte ardhur koha të paguanin. Ai e di se ne që ndodhemi këtu brenda nuk i kemi bërë asgjë të keqe, por sot kështu na ra fati”, shkruan 23-vjeçarja në fillim të dorëshkrimeve të saj, duke përshkruar ngjarjen me çdo hollësi.
Kjo është përmendja e parë e arsyeve që e shtynë Pislin të rrëmbente pasagjerët e autobusit. Arsye që vazhdojnë të hetohen në kuadër të hetimit paraprak, i cili është nxjerrë sërish nga arkiva dhe po kryhet nga gjyqtari i kundërvajtjeve të Selanikut. “Për t’u hakmarrë ndaj vëllait të tij, e akuzuan për trafik armësh. Ata i paraqitën policisë provat e nevojshme dhe kështu ai përfundoi në qendrën e transferimit të të arrestuarve”, vazhdon 23-vjeçarja në shënimet e saj.
Armët
“Shmang shikimin drejt tij dhe pres, siç besoj se presin edhe të tjerët, ndonjë shpjegim nga ana e tij”, shkruan Neli Karatsori në dorëshkrimet e saj, duke përshkruar momentet tronditëse që përjetoi në autobusin e KTEL-it.
Kjo ishte edhe arsyeja pse rrëmbyesi kërkonte me këmbëngulje, nga brenda autobusit, që policia t’i sillte armët. Siç u zbulua më vonë, ai ishte dënuar për mbajtjen e një kallashnikovi, i cili ishte gjetur në gropën e ujërave të zeza të një punishteje më 29 shtator 1998. Sipas raportit të policisë, kjo armë ishte e papërdorshme. “Paraqet oksidim të përhapur dhe i mungojnë susta e gjilpërës goditëse dhe kapaku i pasmë metalik”, thuhet në raport. “Në gjendjen që përshkruhet, jo vetëm që nuk mund të qëllojë, por as të mbushet”, përfundoi një specialist armësh i Ushtrisë.
Dialogët që ajo përcjell, atmosfera mes pasagjerëve fatkeqë, negociatat me presidentin e KTEL-it, gazetarët dhe policinë, janë tronditëse dhe zbulojnë aspekte të panjohura të ngjarjes. “Ai njofton se do të kërkojë t’i japin 50.000.000 dhrahmi, të shohë armët dhe pas kësaj nuk dëshiron asgjë tjetër. E konsideron shumën të vogël, por të mjaftueshme për të ndërtuar më pas jetën e tij në Shqipëri, ku na thekson se do të shkojmë, me qëllim që të na dëmshpërblejë për mundimet që kemi kaluar”.
E reja, e cila qëndroi pranë shqiptarit gjatë pjesës më të madhe të udhëtimit, lë të kuptohen qartë edhe kritikat e saj ndaj planeve operacionale të policisë për shpëtimin e pengjeve. “Të gjithë flasin për jetën tonë, por si do ta sigurojnë atë, çfarë po bëjnë për të na shpëtuar? Kë po tallin, ne apo veten e tyre, me veprime që nuk çojnë drejt shpëtimit të jetës, por në të kundërt?”, shkruan e reja. “Pengjet arritën vetë të lironin katër pengje…”, vazhdon ajo.
“Figurantë”
Kërkesat e paarsyeshme të rrëmbyesit, si ajo për të takuar… kryeministrin Kostas Simitis dhe për t’i telefonuar… astrologut të tij, por edhe roli i gazetarëve gjatë ngjarjes, përshkruhen nga Neli Karatsori. “Blicet ndizen vazhdimisht. Intervista brenda autobusit vazhdon normalisht. Protagonisti kryesor është në kulmin e tij. Të tjerët janë thjesht figurantë që luajnë rolin e vëzhguesit”, shkruan ajo.
Ndjenjat janë të përziera, pas frikës vjen ankthi dhe më pas pritja me shpresë. 23-vjeçarja, e cila duke folur për veten thekson se nuk qau nga frika, për të mos i dhënë atij shkas, guxon dhe i drejtohet autorit të krimit. “Askush nuk flet, por mendimi është vetëm një. Të mos shkojmë në Shqipëri. Harroj gjithçka tjetër dhe vendos t’i flas. Me logjikë nuk kemi arritur asgjë, kështu që ka mbetur vetëm një gjë, të arrij të prek telat e ndjeshëm të shpirtit, të cilët ai duket se i ka…”
Si e vrau policia
Rrëmbyesi i ri, i cili për 12 orë mbante një granatë me siguresën e hequr, përshkruhet nga veprimet e tij si i paarsyeshëm dhe, në fund të udhëtimit tragjik, pas hyrjes në Shqipëri, si i frikësuar. “Mes dy pikave kufitare, sjellja e tij ndryshon plotësisht. Tipi provokues dhe zhurmëmadh, që i përballonte situatat plot ironi, zhduket dhe vendin e tij e zë një njeri i frikësuar, i cili nuk mund të tërhiqet më dhe thjesht fshihet”.
Rrëfimi i rrëmbimit të autobusit përfundon me vrasjen e shqiptarit, por edhe të fatkeqit Jorgos Kulluris. “Dy persona të veshur me rroba të zakonshme, me kapuça të zinj të ngritur deri në ballë, më pyesin në greqisht: ‘Ky është shqiptari?’. Lëviz kokën lart e poshtë në shenjë pohimi. Sytë e rrëmbyesit dridhen. Ai që qëndron mbi kokën e tij e drejton revolen në tëmthin e tij dhe e qëllon tri herë. Pamja e tyre është ngulitur si zjarr në mendjen time”, shkruan Neli Karatsori.
Një pamje që, megjithatë, ende nuk është bërë zyrtarisht e njohur, pasi autoritetet shqiptare tregojnë mungesë gatishmërie për të dhënë përgjigje lidhur me policin që qëlloi pengun fatkeq, në mënyrë që të përcaktohen përgjegjësitë në nivel ndërshtetëror.

Comments are closed.