Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një deklarate publike pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, ku falenderon rreth 8 mijë qytetarët që votuan për të në listat e hapura të qarkut Tiranë. Meta e cilëson këtë akt si një akt guximi ndaj, sipas tij, një “makinerie kriminale shtetërore”, që ka cënuar rëndë procesin zgjedhor.
“Ata që më votuan nuk janë thjesht votues, por heronj, që nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre,” – shkruan Meta në deklaratë.
Ai u ndal edhe te zërat që kanë sugjeruar që kandidatët e Partisë së Lirisë të dorëhiqen për t’i hapur rrugë marrjes së mandatit të tij, duke e refuzuar kategorikisht një mundësi të tillë.
“Nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste, që shkon në kundërshtim me kauzat për të cilat kam luftuar. Që nga 2008 kam qenë kundër ndryshimeve të mbrapshta kushtetuese dhe përfaqësimit përmes listave të mbyllura.”
Meta gjithashtu ka falenderuar bashkëpunëtorët e tij më të afërt në fushatë, veçanërisht Tedi Blushin, si dhe komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit, të cilët, sipas tij, po luftojnë për të ruajtur integritetin e çdo vote.
Reagimi i Metës vjen në një moment kur debatet për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe mënyrën e përfaqësimit politik janë kthyer në tema të nxehta, ndërsa për Partinë e Lirisë mbeten të hapura dilemat për përfaqësimin në Kuvend.