Rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të periudhës 2008–2013 pritet të falen. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili deklaroi se pas ankesave të qytetarëve në platformën “Fol me Kryeministrin”, është konstatuar se një pjesë e detyrimeve dhe gjobave të vendosura ndaj abonentëve janë të padrejta.
Karakaçi bëri të ditur se ka ngritur një grup pune për shqyrtimin e këtyre rasteve, ndërsa Ministria do të ndërmarrë nismën ligjore për faljen e detyrimeve.
“Ne kemi konstatuar që ato janë të padrejta dhe janë vendosur në mënyrë të gabuar ndaj këtyre klientëve. Si rrjedhojë e këtyre ankesave, do të marrim masa të menjëhershme ligjore që të iniciojmë një ligj të posaçëm për të falur këto detyrime”, deklaroi ministri.
Sipas tij, bëhet fjalë për rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të krijuara gjatë periudhës 2008–2013, të cilat do të falen pas miratimit të ligjit përkatës.
Gjatë deklaratës, ministri bëri gjithashtu një bilanc të ankesave të mbërritura në platformën “Fol me Kryeministrin”, duke bërë të ditur se 68 prej tyre lidhen me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Nga këto, 34 raste tashmë kanë marrë adresim dhe 34 janë në proces shqyrtimi”, tha Karakaçi, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë të paraqesin shqetësimet e tyre në këtë platformë.

Comments are closed.