PD e drejtuar nga Berisha shpreson që të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar për pretendimet mbi manipulimin e zgjedhjeve. Berisha ishte në Bruksel ku mori pjesë në një samit të IDU, një grupimi partish nga e gjithë bota që i përkasin spektrit të qendrës së djathtë dhe konservatorëve. Ky është takimi i parë pas 11 majit i Berishës me një prej grupimeve që i ka dhënë suport edhe para zgjedhjeve, madje duke i miratuar edhe një rezolutë…
Në 11 maj, koalicioni ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ i drejtuar nga Sali Berisha mori ndoshta rezultatin më zhgënjyes që prej vitit 1997 në zgjedhjet parlamentare.
Me vetëm 50 deputetë në sallën e Parlamentit të ri kundrejt 83 mandateve të Kryeministrit Edi Rama, opozita e Sali Berishës do e ketë edhe më të vështirë betejën parlamentare që nis në shtator, kur edhe konstituohet Kuvendi i ri.
Një ditë pas zgjedhjeve, Berisha paralajmëroi mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, duke akuzuar Edi Ramën dhe Qeverinë e tij se ka deformuar vullnetin e shqiptarëve. Berisha tha se ka fakte dhe prova që vërtetojnë atë që demokratët e konsiderojnë si ‘masakra zgjedhore’.
Në anën tjetër, Kryeministri Edi Rama mori një seri mesazhesh nga homologët e tij europianë që e uronin për fitoren e mandatit të 4-t qeverisës dhe kaloi me sukses samitin e Komunitetit Politik Europian që u mbajt në Tiranë.
Një tentativë e opozitës për një protestë me qëllim sensibilimin e delegacioneve që morën pjesë në Samit mbi atë që e konsiderojnë si ‘vjedhja e votës’ u shoqërua me incidente mes disa figurave opozitare dhe përfaqësuesve të medias. Madje, këto incidente patën më shumë jehonë se vetë qëllimi për të cilin u thirr protesta.
Tashmë, PD e drejtuar nga Berisha shpreson që të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar për pretendimet mbi manipulimin e zgjedhjeve. Berisha ishte në Bruksel ku mori pjesë në një samit të IDU, një grupimi partish nga e gjithë bota që i përkasin spektrit të qendrës së djathtë dhe konservatorëve. Ky është takimi i parë pas 11 majit i Berishës me një prej grupimeve që i ka dhënë suport edhe para zgjedhjeve, madje duke i miratuar edhe një rezolutë.
Por duket se javët në vazhdim do të jenë vendimtare, të paktën sipas planit që demokratët kishin si rezervë që para mbajtjes së zgjedhjeve.
Të gjitha provat dhe faktet, që pretendojnë lidhur me manipulimin zgjedhor, do të dorëzohen jo vetëm në Parlamentin Europian dhe Asamblenë Parlamentare të KiE-së, por në çdo kancelari europiane dhe më gjerë. Vëmendja do të jetë Kongresi dhe Senati amerikan. Gjermania, Britania e Madhe, Austria, Greqia, pritet të jenë edhe kancelaritë e para që do të informohen lidhur me atë që demokratët e Berishës pretendojn: masakrën zgjedhore.
Ashtu si edhe gjatë fushatës, edhe në fazën e denoncimeve, Berisha do të udhëheqë procesin. Gjithashtu pjesë e grupit që do të angazhohet me faktorin ndërkombëtar do të jenë edhe Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu, Tritan Shehu, por edhe Jorida Tabaku. Kjo e fundit fitoi mandatin nga lista e hapur, duke qenë edhe emri më i votuar në listat e hapura të PD-së, por edhe me një reputacion mjaft të mirë në raport me ndërkombëtarët, çka do të shfrytëzohet në “betejën” që duket se do të zhvendoset jashtë kufijve.
Pas përfundimit të numërimit të votave, demokratët do të nisin kontestimet lidhur me rezultatet në institucionet zgjedhore dhe paralelisht çdo provë do të depozitohet në kancelaritë dhe institucionet ndërkombëtare. Qëllimi është që deri në momentin e hartimit të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet e 11 majit nga OSBE/ODIHR, Berisha të ketë informuar faktorin ndërkombëtar se procesi u manipulua.
Ish-Kryeministri, që synonte një rikthim të 3-të në pushtet në 11 maj, është shprehur optimist se pas raportit paraprak mbi zgjedhjet të ODIHR, opozita do të arrinte qëllimin final. Berisha solli në vëmendje rezultatet që kishte pasur në 2001, kur ai humbi zgjedhjet pothuajse me të njëjtat kushte, por në atë kohë arriti që PS-së që drejtohej nga Fatos Nano të mos i njihej rezultati prej 84 mandatesh, pra votat që i mundësonin në atë kohë të zgjidhnin nga Presidenti dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura, pa konsensusin e opozitës.
Por nga viti 2001 deri më sot kanë kaluar plot 24 vite dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, jo thjesht në konfigurimin dhe mënyrën se si zgjidhen drejtuesit e institucioneve, por edhe në skenën botërore.
Dy muajt e ardhshëm pritet të jenë vendimtarë sa i takon pretendimeve të PD-së së Berishës dhe aleatëve të saj në raport me 11 majin, ndërsa ende nuk ka një qëndrim të qartë se çfarë do të kërkojnë demokratët në raport me procesin. Berisha në një deklaratë publike ka thënë se ‘plaçka’ e vjedhur duhet të kthehet. Tashmë mbetet për t’u parë nëse do ia arrijë qëllimit apo do të arkivojë dështimin e rradhës. /Pamfleti/