Gjatë një lidhje live për Euronews Albania, meteorologu Hakil Osmani foli në lidhje me motin që na pret këtë javë, ku tha se në vend do të mbizotërojnë vransira të shumta, të cilat do të shoqërohen edhe me reshje shiu.
Këto vransira dhe reshje do të jenë prezente gjatë gjithë javës, përfshirë të shtunën dhe të dielën, përjashtuar ditën e premte, që do të ketë një përmirësim të motit.
“Java pritet të jetë mjaft dinamike. Dita e hënë do të jetë nën dominimin e vransirave të shpeshta, të fokusuara në zonat veriore dhe qendrore, ku herë pas here do të ketë mundësi për reshje shiu. Dita e martë do të sjellë përmirësim të dukshëm të motit, ku do të kemi intervale të gjata me kthjellime, ndërsa vransirat do të bëhen të pranishme gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes së martës. Vransirat do të shtohen të mërkurën dhe të enjten, ku do të rikthehen reshjet e shiut. Edhe të enjtën do të kemi vransira, përsëri të shoqëruara me reshje, por përditësimi i motit do të vijë të premten, kur pritet të ketë një përmirësim dhe largim të shirave. Po ashtu, e shtuna pritet të ketë vransira dhe reshje shiu, të cilat do të jenë më të pakta të dielën”, tha Osmani.
“Temperaturat do të jenë minimale nga 6 gradë Celsius dhe maksimale do të shkojnë deri në 28 gradë Celsius ndërkohë, të premten dhe të shtunën pritet një rënie graduale e temperaturave, që do të përmirësohet të dielën”, tha meteorologu Hakil Osmani
Sa i përket vendeve të rajonit, meteorologu Osmani tha se situata do të jetë e ngjashme, ku vransirat do shoqërohen gjithashtu me reshje shiu.
“Po ashtu, për rajonin, java pritet të jetë nën dominimin e motit të vranët, me reshje shiu të shpeshta. Të mërkurën dhe të enjten reshjet dhe vransirat do të shpeshtohen dhe mund të shoqërohen me rrebeshe. Këto vransira do të jenë gjithashtu edhe në fundjavë, ndërsa vetëm ditën e premte do të ketë një përmirësim të përkohshëm. Temperaturat maksimale në rajon do të shkojnë nga 24 deri në 25 gradë Celsius”, tha Hakil Osmani.