Çfarë na pret nga p*rplasja e Dumanit me qeverinë dhe mesazhi i koduar i ish-ministrit të Brendshëm

Strategjia e re kundër krimit, e shpallur si reformë, mban brenda vetes sinjalet e para të ndërhyrjes mbi drejtësinë. Altin Dumani e lexoi mesazhin dhe e ktheu përgjigjen. Lufta sapo ka filluar…

Kryeministri Edi Rama, sapo ka fituar mandatin e tij të katërt dhe ashtu siç ndodh rëndom në kulmin e pushtetit, ka hedhur gurin e parë mbi drejtësinë.

Në mënyrë të heshtur, por të organizuar, përmes një materiali të gjatë të paraqitur nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, qeveria ka nisur një lëvizje të re për “strategjinë kombëtare kundër krimit”, e cila në realitet mbart elementë të një ndërhyrjeje të koduar në punën e SPAK-ut.

Nëse vëzhgohen me kujdes formulimet e këtij dokumenti, të paraqitura si masa për të rritur efikasitetin institucional, duken qartë tentativat për të vendosur në sistem një kontroll të brendshëm dhe një filtër politik mbi punën e Prokurorisë së Posaçme.

Kryetari i SPAK, Altin Dumani, reagoi menjëherë dhe në mënyrë të prerë. Me gjuhë të qetë, por me përmbajtje të fortë, ai tha se SPAK nuk ka nevojë për ndërhyrje, auditime apo struktura të reja, pasi kontrollohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, siç e përcakton Kushtetuta.

Por e vërteta është se në dokumentin e qeverisë, nën pretekstin e përmirësimit të “etikes, profesionalizmit dhe transparencës”, fshihen fraza të rrezikshme që synojnë zbutjen e veprimeve të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, dhe vendosjen e një ndërveprimi të detyruar me institucione që ndodhen në varësi të ekzekutivit, si policia, SHISH apo struktura të tjera administrative.

Formulime të tilla si:

-“përdorim proporcional i masave të sigurimit”
-“promovim i gjykimeve të shkurtuara dhe marrëveshjeve të pranimit të fajësisë”
-“kontroll i brendshëm përtej vettingut”
-“transparencë ndërinstitucionale dhe pika të kontaktit për shkëmbim të dhënash”
…janë mënyra të rafinuara për të vendosur shtigje të reja komunikimi dhe ndikimi mes qeverisë dhe drejtësisë, duke kaluar përmes “mekanizmave burokratikë”.

Në praktikë, kjo përkthehet në ndikim indirekt mbi vendimet hetimore, ndalim të rrjedhjes së informacionit në media dhe, më e rëndësishmja, frikë psikologjike për prokurorët që prekin “të paprekshmit”.

E gjitha kjo është përkthyer nga analistët si një përpjekje për të vendosur një strategji kontrolli që më pas do të shndërrohet në ligj përmes Parlamentit. Dilema është: a do ta bëjë Rama këtë ndërhyrje tani, me këtë Kuvend të vjetër, apo në shtator me përbërjen e re ku i ka të gjitha votat?

Në të dy rastet, kërcënimi është real. Ndërhyrjet nuk do të duken si presione politike, por si reformë administrative. Ndaj edhe reagimi i Altin Dumanit ka qenë kaq i fortë: për të treguar se SPAK e ka kuptuar lëvizjen dhe nuk e pranon.

Por një tjetër nivel i këtij konflikti që po përvijohet është edhe mesazhi që Rama ka dashur të japë: nëse preken “të mitë”, nuk ka më aleancë politike me drejtësinë. Nëse prokurorët e SPAK guxojnë të kërkojnë arrest, përgjim, sekuestro për ndonjë ministër apo deputet të PS, shumica parlamentare mund të refuzojë dhënien e autorizimeve.

Këto janë sinjale që flasin qartë për një verë të nxehtë politike e institucionale.

E gjithë kjo ndodh paralelisht me një tjetër sinjal: postimi i çuditshëm i Taulant Ballës, që pa asnjë arsye të qartë falënderoi Policinë e Shtetit për menaxhimin e tre ngjarjeve të mëdha, ndonëse nuk është më ministër i Brendshëm.
Një lëvizje që për shumëkënd është lexuar si sinjal i një rikthimi të tij në atë post, ose një kujtesë e drejtpërdrejtë ndaj SPAK, që dikush që po hetohet për çështje të ndjeshme, ka ende kontroll mbi një pjesë të sistemit.

Ndërkohë, vendimi për kalimin në gjykim të dosjes “Partizani” ndaj Sali Berishës, vjen si një kundërpeshë që mund të përdoret për të balancuar perceptimin se drejtësia është selektive.

Në këtë sfond, lëvizja e Ramës është e trefishtë:

1. Presion ndaj SPAK, përmes strategjisë së re;

2. Paralajmërim për një ndërhyrje ligjore në Kuvend, ndoshta që në vjeshtë;

3. Rritje pazari ndaj SPAK, që nëse i afrohet rrethit të pushtetit, nuk do të gjejë më mbështetje politike për të vepruar./Pamfleti