Pas garës së fortë për votën preferenciale në Tiranë, tensionet janë përshkallëzuar edhe brenda vetë Partisë Socialiste. Në një grup WhatsApp mes kandidatëve të PS-së, janë shënuar përplasje dhe akuza të hapura nga disa garues që mbetën jashtë Kuvendit.
Sipas raportimeve, disa kandidatë kanë kërkuar pamje filmike nga qendrat e numërimit, duke ngritur dyshime për manipulime apo gabime gjatë numërimit të votave.
Fillimisht, drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla, u përpoq të qetësonte situatën duke garantuar korrektësi maksimale në procesin e numërimit. Por ndërhyrja më e fortë erdhi nga kryeministri Edi Rama, i cili u bëri thirrje kandidatëve për maturi dhe respekt ndaj procesit dhe kolegëve të partisë.
Në mesazhin e tij të lexuar publikisht nga Grida Duma në emisionin “Top Story” Rama paralajmëroi:
“Humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën… nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do të ndryshonin rezultatin.”
Ai shtoi se kërkesa të tilla rrezikojnë të hedhin hije dyshimi mbi punën e komisionerëve dhe numëruesve të PS-së, si dhe t’u japin ushqim “qenerisë mediatike”, ndërkohë që rezultatet ishin të qarta dhe diferencat në vota të theksuara.