Elmas Bogdani
Nga jashtë duket si një fitore historike. Partia Socialiste e Edi Ramës arriti të sigurojë 83 mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, një rezultat që e konsolidon pushtetin e saj për mandatin e katërt radhazi. Por faktet tregojnë se kjo nuk është një fitore e demokracisë. Është një alarm i madh. Dhe për ata që kanë jetuar vitet e trazicionit të egër të viteve ’90, 11 maji 2025 ngjan frikshëm me 26 majin 1996, ditën kur Partia Demokratike e Sali Berishës shpalli një fitore të njëjtë absolute, përmes një procesi të kontestuar që solli izolimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Në qendër të kësaj analize nuk është thjesht krahasimi mes dy partive, por paralelja midis dy mënyrave si pushteti deformon demokracinë. Kur historia përsëritet jo si farsë, por si sistem i sofistikuar kontrolli, thelbi nuk është kush fitoi, por kush e humbi demokracinë.
Ndërkohë, SHBA hesht. Dhe kjo heshtje nuk është rastësore. Në të gjitha zgjedhjet e mëparshme ku ka fituar Edi Rama (2013, 2017, 2021), Ambasada Amerikane ka nxjerrë deklarata zyrtare vetëm 24-48 orë pas përfundimit të votimit, duke përshëndetur procesin dhe duke njohur rezultatin. Këtë herë kanë kaluar më shumë se 10 ditë pa asnjë reagim institucional. Gazeta “Sot” publikoi disa ditë më parë reagimin e DASH për gazetarin Robert Papa, ku tha se janë të informuar për akuzat e ngritura nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile lidhur me manipulimet e pretenduara të votave dhe përdorimin e burimeve shtetërore për përfitime elektorale në 11 maj. Vetëm kaq! Nuk ka ende një reagim zyrtar për Shqipërinë nga SHBA.
Kronika e një fitoreje të paralajmëruar
Në vitin 1996, Partia Demokratike e Sali Berishës fitoi 122 mandate nga 140, duke zhdukur de facto opozitën nga parlamenti. Ky rezultat u arrit në një atmosferë tensioni ekstrem politik, dhune në qendrat e votimit me polici dhe SHIK dhe bojkot të pjesshëm nga opozita. Më 21 qershor Departamenti i Shteti i cilësoi zgjedhjet “një hap prapa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme”. Kjo deklaratë u prit me nervozizëm nga PD-ja, ndërsa Human Rights Watch dhe OSBE evidentuan raste flagrante manipulimi, ndalime të kundërshtarëve dhe presione të vazhdueshme ndaj votuesve. Në vitin 2025, ndonëse pa dhunë fizike, fitorja e Partisë Socialiste e Edi Ramës ka ndjekur një model të ngjashëm të kontrollit total të sistemit: pushtet absolut mbi administratën dhe përdorim të segmenteve të krimit të organizuar në zona kyçe për të kontrolluar rezultatin. Fakti se Edi Rama përdori administratën në zgjedhjet e 11 majit u evidentua dhe nga OSBE.
Deputetët anonimë
Gjithashtu një numër kandidatësh të PS-së në 11 maj, pa profil politik të mëparshëm, pa ekspozim publik dhe pa kontribute në jetën shoqërore, dolën të parët në listat e qarqeve me rezultate rekord. Kjo nuk ndodhi për shkak të fushatës së tyre model, por për shkak të strukturave klienteliste dhe kriminale që kanë marrë kontrollin mbi terrenin elektoral. Fenomeni i “deputetëve anonimë” që morën mijëra vota në zona si Elbasani, Durrësi dhe Fieri është dëshmi e një skeme të sofistikuar të dirigjuar nga lart. Për të ilustruar nga akuzat publike të opozitës: Sara Mila 29 vjeç, deputetja e ardhshme e Kuvendit, një figurë e panjohur deri ditën që shpalli kandidaturën, rezultoi kandidatja më e votuar në Elbasan mes socialistëve të listave të hapura. Me pothuajse dyfishin e votave nga kandidati pasardhës, Mila rivalizon në rezultat me rekordin e kapur në vitin 2021 nga ish-kreu i qarkut, Taulant Balla. Në vitin 1996, skemat ishin më primitive: kutitë mbusheshin vetë dhe votuesit kërcënoheshin hapur. Në 2025, gjithçka është më sterile, por më e rrezikshme: kontroll përmes frikës sociale, varësisë ekonomike dhe klientelizmit të thellë.
Një fitore si ajo e Pirros
Edi Rama fitoi, por me çfarë çmimi? Fitorja e 11 majit është më shumë një dëshpërim i maskuar si triumf, një version modern i asaj që historia e quan “fitorja e Pirros”, e madhe në shifra, por shkatërruese në thelb. Sepse ajo nuk vjen nga entuziazmi popullor, por nga manipulimi strukturor i sistemit. Nuk vjen për të ndërtuar, por për të mbrojtur një rreth pushteti të kërcënuar nga drejtësia. Ndryshe nga vitet e mëparshme, në këtë mandat Rama nuk do të ketë luksin e qeverisjes së qetë. Në horizont është drejtësia, jo opozita. SPAK nuk është më një institucion i izoluar, por një strukturë që po afrohet gjithnjë e më shumë tek kupola e qeverisë. Ministrat, ish-ministrat, drejtorët e lartë dhe kryebashkiakët janë sot në rrjetën e një drejtësie që nuk ndalet më lehtë. Dhe kjo është arsyeja e vërtetë pse Rama kërkoi një fitore me çdo kusht, jo për të sunduar Shqipërinë, por për të vonuar llogaridhënien. SPAK ka në duar 39 dosje të mbushura me krime elektorale dhe aksionet sapo kanë nisur. Shumë kandidatë që fituan mandatin në 11 maj, nuk do ta gëzojnë dot.