Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ish-kryeministri dhe lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar drejtpërdrejt deputetin socialist Arkend Balla si të mbështetur nga një rrjet kriminal që ai e quan “karteli i drogës Troplini”. Sipas Berishës, Balla është bërë pjesë e skemës së ndikimit të grupeve kriminale në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe i është premtuar një post qeveritar në këmbim të këtij mbështetës kriminal.
“Arkend Balla, në vitin 2021, kur nuk ishte rekrutuar nga karteli, mori 2.463 vota. Në vitin 2025, nën patronazhin e Troplinëve, merr 20.718 vota. Po ju them, ky është një fenomen që kërkon vetëm një shpjegim: narkoshteti. Ky është deputeti i kartelit, i cili ka marrë më shumë vota sesa Edi Rama vetë,” tha Berisha, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të ndërhyrjes së botës së krimit në politikë.
Sipas tij, “ky individ është premtuar për Ministër të Brendshëm i Republikës së Kartelit pas zgjedhjeve – një akt që tregon se në çfarë niveli të kapjes së shtetit jemi.”
Berisha u ndal edhe tek ndërhyrja e ashpër që, sipas tij, ka bërë grupi Troplini në zgjedhje: “Troplinët kanë dhënë 50 mijë vota për Edi Ramën vetëm në Durrës. Një kartel droge që ka vendosur fatet e katër deputetëve. Të gjithë janë produkte të tij.”
Ai vijoi me emra të tjerë: “Ilir Ndrazhi? Edhe ai nën patronazhin e Troplinëve. Ani Dyrmishi? 13.700 vota – një tjetër investim i kartelit. Edhe Erion Meka, edhe Gjushi, edhe Gys Agasi – të gjithë janë në të njëjtën listë të zezë. Lista e deputetëve të kartelit.”
Ish-kryeministri përmendi edhe shembuj nga zona e Vorës, ku sipas tij karteli tjetër, ai i Xhabaftëve, ka ushtruar presion dhe terror: “Në Vorë, ministri Xhabafti ka marrë 4.759 vota, ndërsa kandidati i dytë vetëm 400. Ky është rezultat nën terror. Kontrollojnë hyrjen e Tiranës, futin drogën, dhe marrin përqindjen.”
Berisha përfundoi me një thirrje: “Duhet të ndërmerret një hap i menjëhershëm: këta kartele duhet të shpallen organizata terroriste. Sepse rrënojnë demokracinë, deformojnë zgjedhjet dhe helmojnë ekonominë përmes narko-eurove.”