“Kush e krijoi Zotin?” Pyetja që 7 vjeçarja i drejtoi Papa Françeskut para se të ndërronte jetë, ja si u përgjigj ai

Vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, një histori prekëse bëri xhiron e rrjeteve dhe mediave italiane – një histori që ilustron më së miri natyrën e tij njerëzore dhe ndjeshmërinë që përcillte si udhëheqës shpirtëror.

Një vajzë 7-vjeçare nga qyteti Flero, në Itali, pasi kishte marrë pjesë në një orë mësimore ku flitej për Zotin dhe krijimin, u përball me një pyetje që i dogji në shpirt: “Nëse Zoti krijoi gjithçka, kush e krijoi Zotin?” Pyetje e thjeshtë në pamje të parë, por e thellë dhe filozofike në përmbajtje.

Duke mos gjetur një përgjigje që ta kënaqte as nga mësuesit, as nga prindërit, vogëlushja mori një vendim që askush nuk do ta kishte menduar: i shkroi një letër Papa Françeskut.

Letra e saj përfundoi në Vatikan, bashkë me një vizatim të vogël dhe një shënim të përzemërt ku i shkruante Atit të Shenjtë: “Nëse nuk ke kohë të më përgjigjesh, nuk ka problem.”

Pak javë më vonë, përgjigjja mbërriti. Nuk ishte firmosur drejtpërdrejt nga Papa, por nga bashkëpunëtori i tij, Imzot Roberto Campisi, i cili shkruante:
Ati i Shenjtë ka marrë shënimin tuaj të bukur. Papa Françesku, i cili ju falënderon për gjestin e dashurisë, dëshiron t’ju bëjë të ditur se ai po lutet për ju, në mënyrë që të rriteni me dëshirën e sinqertë për të njohur dhe dashur Jezusin.”

Një përgjigje që nuk dha një shpjegim filozofik, por që përçonte një mesazh thelbësor: kureshtja është e shenjtë dhe udha drejt besimit nuk fillon me përgjigje të thjeshta, por me dashuri dhe kërkim të së vërtetës.