SPAK ka bërë kontroll në banesën e deputetit të PS-së, Luan Duzha, pasi dyshohet se është përfshirë në krim elektoral gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të 11 Majit.
Fillimisht oficerët e BKH, i kanë sekuestruar telefonin deputetit Duzha, por pas kqyrjes së tij, i janë drejtuar me një tjetër kërkesë gjykatës, duke kërkuar lejimin e kontrollit të banesës së zyrtarit të PS në Elbasan.
Kontrolli i banesës është kryer nga oficerët e BKH, të cilët në këtë aksion janë shoqëruar dhe nga dy patrulla policie në policinë e Elbasanit. Mësohet se nga kontrolli janë sekuestruar 200 mije euro.
Njoftimi
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ushtruar kontroll në banesën e një deputeti të Partisë Socialiste, pjesë e legjislaturës aktuale.
Operacioni u krye disa ditë më parë dhe, sipas burimeve konfidenciale, gjatë kontrollit janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash si dhe dokumentacion që konsiderohet kompromentues në lidhje me aktivitetet zgjedhore.
Paralelisht me këtë ndërhyrje, ditën e sotme një delegacion i nivelit të lartë nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) zhvilloi një takim pune me drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi.
Fokusi i këtij takimi ishte analiza e ecurisë së hetimeve aktive, shkëmbimi i informacionit operacional dhe përmirësimi i metodave hetimore për të ndëshkuar ata që tentojnë të manipulojnë procesin zgjedhor.
Burime pranë grupit hetimor konfirmojnë se hetimet po përqendrohen në disa raste të dyshuara për blerje votash, kërcënime ndaj votuesve, abuzim me burimet shtetërore gjatë fushatës dhe përfshirje të personave me precedentë penal në procesin elektoral.
SPAK ka paralajmëruar se do të ndjekë çdo gjurmë të abuzimit dhe nuk do të tolerojë asnjë shkelje të ligjit në emër të pushtetit apo votës së qytetarëve.