Artan Tafani, ish-ushtari i Laert Haxhiut është rrëfyer këtë të mërkurë para togave të zeza, ku dhe po zbërthen dhe hedh më tepër dritë lidhur me ngjarjet kriminale të cilat kanë tronditur vendin përgjatë viteve të fundit.
Përpos vrasjes së biznesmenit në Lushnje, Çajup Selimit, Haxhiu ka rrëfyer një tjetër vrasje, e cila ashtu si dhe ai e ka pohuar ka qenë më e rënda.
Për bashkëpunëtorin e drejtësisë, vrasja e Fridman Xhaferrajt, kushëririt Haxhiut ka qenë dhe ajo që e ka shokuar më së shumti, kjo pasi e ka shtyrë të mendojë se Laerti është kthyer në një “bishë”, në një njeri që ishte i gatshëm të “shfaroste” cilindo që i pengonin rrugën apo që dyshonte se mund ta tradhtonte.
“Ligori mori në telefon Laertin dhe i tha se Fridman Xhaferri kishte folur në celular me dikë për punë malli. Menjëherë, sapo ishim në hotel, na tha Laerti: “Çohuni, do ikim në Korçë ta vrasim.”
Kur u nisëm për në Korçë – unë, Laerti dhe Lulzimi – ky i fundit mori një pistoletë nga një garazh ku ata mbanin armët, si edhe një makinë me portobagazh. Ndaluam në Pogradec, ku takuam Bledar Berberin dhe Mariglen Topuzin, dhe i morëm në makinë. Gjatë rrugës, Laerti kërkonte një vend ku mund të hidhte trupin. Edhe Bledari kishte “chat” dhe email. Pamë një rezervuar.
Gjatë rrugës bënin edhe shaka; Marigleni i thoshte Laertit: “O lala, ma lër ta bëj unë, të mësoj dorën.” Për çdo gjë që ndodhte, Bledar Berberi e merrte vesh. Ata e dinin që unë sapo kisha bërë vrasjen në Tepelenë. Unë isha i mpirë, pa ndjenja”, ka treguar ai, ndërkohë që vlen të theksohet se vrasja e Xhaferrit ka ndodhur vetëm një ditë pas vrasjes së biznesmenit Selimi në Lushnjë, më 2 qershor 2021.
25-vjeçari, Fridman Xhaferraj, u ekzekutua në qytetin e Korçës, ndërkohë që trupi i tij u zbulua 12 ditë më vonë, në rezervuarin e Gjançit. Në atë kohë, dyshimet e policisë ishin se 25-vjeçari ishte ekzekutuar për larje hesapesh, për shkak të konflikteve të mëparshme.
Asokohe u tha se Xhaferraj ishte larguar nga banesa më datën 22 maj, një ditë pasi ishte liruar nga burgu sepse u la me masën “arrest shtëpie”, masë kjo e vendosur pasi akuzohej për djegien e 3 makinave në një qendër tregtare në Lushnje.
Por, dhe dalja e tij nga burgu ishte bërë me urdhër të Haxhiut. Përmes lidhjeve të tij, Laerti kishte arritur që të ndryshonte në Gjykatën e Lushnjës masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për Fridman Xhaferraj. Pas daljes së këtij të fundit nga burgu, Laert Haxhiu filloi të vërë dalëngadalë në zbatim planin për vrasjen e tij.
Planin për ekzekutimin e 25-vjeçarit, bashkëpunëtorit dhe kushëririt të Haxhiut, u bë nga ky i fundit pasi i riu e kishte kërcënuar se do të fliste, nëse ai nuk e nxirrte nga burgu ku kishte rënë.