Një ngjarje e rëndë u raportua një ditë më parë, ku 19-vjeçari Guido Dervishllari, u gjet i vetëvarur në kodrat pranë fshatit Rrëmenj.
I riu plot jetë, ëndrra, dëshira dhe shpresë, ndërmori aktin ekstrem duke i dhënë fund jetës. Humbja e tij e parakohshme ka lënë pas një dhimbje të madhe dhe një boshllëk në zemrat e familjarëve të tij, por dhe të miqve, të cilët i kishte të shumtë.
Për miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin nga afër, Guido ishte një djalë i dashur, i sjellshëm dhe gjithmonë pranë të tjerëve. Askush nuk ishte i përgatitur për këtë tragjedi.
Sot, prindërit e tij janë përballë dhimbjes më të madhe që mund të përjetojë një familje, humbjen e një fëmije, e dritës së syve të tyre. Përveç dhimbjes që po i “çan kraharorin”, familja e të riut është duke u përballur dhe me një barrë të rëndë ekonomike për të përballuar shpenzimet e varrimit dhe të ceremonisë të 19-vjeçarit.
Për këtë arsye, miqtë dhe të afërmit kanë hapur një “Gofundme” për të mbështetur financiarisht familjen Dervishllari në këto momente të vështira.
“Të gjitha donacionet do të shkojnë direkt për shpenzimet e funeralit, shërbimet përkujtimore dhe çdo nevojë tjetër të menjëhershme që mund të ketë familja”, shkruhet ndër të tjera në faqen e Gofundme të hapur për të ndihmuar familjarët e 19-vjeçarit.
Për të gjithë ju që dëshironi të kontribuoni klikoni në linkun (KËTU).
Guido u prej kohësh punonte si fotograf. Ai u gjet i vetëvarur rreth orës 14:40 të së shtunës në kodrat pranë fshatit Rrëmenj nga banorët e zonës. Këta të fundit njoftuan familjen dhe policinë.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe për të hedhur më tepër dritë mbi shkaqet që çuan këtë të ri të ndërmerrte aktin ekstrem duke i dhënë fund jetës.