Nëse kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani, ka përdorur makinën dhe shoferin e këtij institucioni për t’i çuar dhe marrë bashkëshortin në punë, si dhe nëse gjatë orarit të punës ka shkuar të bëjë vetë palestër, kjo do të ishte një papërgjegjshmëri e madhe dhe ajo do të duhej të jepte menjëherë dorëheqjen, duke ndjekur shembullin e kolegeve të saj në perëndim.
Ajo paguhet me taksat tona që të bëjë punët e qytetit dhe jo që të bëjë kokrrën e qejfit.
Çdo media që demaskon sjellje të tilla abuzive me pushtetin meriton vetëm lavde dhe i shërben në mënyrën më të mirë të mundshme të mirës publike.
Nga ana tjetër, burime të sigurta bëjnë me dije se ky sulm i koordinuar, në fakt, është dirigjuar nga burgu i Durrësit, aty ku qëndron i burgosur Erion Veliaj, kryetari i zgjedhur i Bashkisë Tiranë, i cili po hetohet për çështje të rënda korrupsioni dhe fshehje pasurie.
Nuk ka asgjë për t’u çuditur që ky është vetëm hapi i radhës në luftën brenda llojit, të marionetave socialiste, që janë në garë se kush do të jetë delfini i radhës.
Veliaj kësaj here ka shfrytëzuar miqësinë e tij të vjetër me Çim Pekën e Syri Tv dhe duket se ka goditur në shenjë.
Në fakt, Ristani e humbi toruan dhe u bë qesharake duke i kërkuar llogari gazetarit të një televizioni privat mbi punën e tij.
Ajo harroi se llogari para qytetarëve japin shërbëtorët publikë, jo gazetarët.
Ndërkohë që vazhdon t’i shprehë besnikëri dhe përkrahje Edi Ramës me statuset e tij në Facebook, duke shpresuar dhe besuar se vetëm ky i fundit mund të ushtrojë presion të drejtësia që Veliaj të dali i pa lagur apo me pakë gjë nga çështja e tij, në krahun tjetër ai po sulmon fort uzurpatorët e karrigës së tij në bashki, që nga ana tjetër janë caktuar po nga Edi Rama.
Ka ardhur koha që Veliaj ta pranojë fatin e tij tragjik dhe të behët një “pentito” politik dhe të nxjerrë sheshit bëmat e shefit të tij. Kjo është e vetmja gjë që do t’i bënte nder.