Kush është ministri që rrezikon prangat?
Prokuroria e Posaçme ka futur në ankth kabinetin qeveritar të Edi Ramës. Teksa kryeministri sot u rishfaq në publik me sulme ndaj drejtësisë, mësohet se SPAK ka vënë nën hetim 1 ministër të qeverisë aktuale.
Edi Rama u mundua që shumë prej ministrave besnikë t’i veshë me imunitet, duke i kandiduar për deputetë, por një prej tyre rrezikon burgun. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Prokuroria e Posaçme në faqen e saj zyrtare, te regjistri i transparencës. “Rezulton se aktualisht nën hetim është 1 (një) ministër”, shprehet SPAK.
Nuk dihet se për cilin ministër bëhet fjalë, por për disa prej tyre ka pasur kallëzime penale, kryesisht nga opozita. Duhet të presim dhe të shohim, por fakti që SPAK shprehet se ai është nën hetim, do të thotë se akuzat kanë avancuar. Në përgjithësi, SPAK nuk regjistron procedime në emër të zyrtarëve për të shmangur afatin kohor, por sinjalet janë se një ministër ka rënë në rrjetë dhe do t’ia shohim krismën shumë shpejt.
Arrestimi i fundit i bujshëm që ka bërë SPAK është ai i Erion Veliajt. Në shkurt, kryebashkiaku i Tiranës u arrestua në zyrën e tij dhe që nga ajo kohë, SPAK është fokusuar te krimet zgjedhore dhe te lufta kundër krimit të organizuar. Sinjalet janë se tani mund të kemi një tjetër goditje të bujshme në radhët e mazhorancës.
Në faqen e saj zyrtare, SPAK bën me dije se numri i personave nën hetim që prej krijimit të Prokurorisë së Posaçme deri tani është 2597. Pra, duket se ka pasur shumë emra të rëndësishëm që kanë kaluar në sitë, por deri më tani nuk ka pasur arrestime në nivele ministrash, por vetëm ish-ministrash.
Të shohim nëse do të kemi finalizim, pasi SPAK është dhe në luftë me kohën. Në dhjetor, Altin Dumani ikën si kryetar dhe nuk i dihet se çfarë sjell dimri. Po ashtu, në shtator pritet të riaktivizohet komisioni “Xhafaj”./Pamfleti
Përbërja e kabinetit qeveritar
– Edi Rama, Kryeministër
– Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
– Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
– Adea Pirdeni, ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
– Igli Hasani, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
– Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes
– Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm
– Petrit Malaj, ministër i Financave
– Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë
– Ogerta Manastirliu, ministër i Arsimit dhe Sportit
– Albana Koçiu, ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
– Anila Denaj, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
– Delina Ibrahimaj, ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit
– Taulant Balla, ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
– Majlinda Dhuka, ministër Shteti dhe Kryenegociator për Integrim Euro-Atlantik
– Mirela Kumbaro, ministër i Turizmit dhe Mjedisit
– Arbjan Mazniku, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
– Bora Muzhaqi, ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.
/Pamfleti