1 muaj para zgjedhjeve, tensione dhe përplasje mes Ramës dhe aletit të tij…
Ftohen raportet mes Edi Ramës dhe Tom Doshit para zgjedhjeve të 11 majit. Në Shkodër dhe në Fier, po shkarkohen drejtorët e emëruar nga PSD, teksa kjo e fundit ka nisur të hakmerret.
Partia Social Demokrate është bërë bashkë sot me PD-në, duke bllokuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Shkodër.
Pasi u miratuan vetëm pikat e para të rendit të ditës që lidhen me shtresat sociale, anëtarja e këshillit Marin Duhani e PSD-së bëri të ditur se socialdemokratët nuk do vijojnë më këtë mbledhje. Pas një pushimi 5 minutësh të njëjtin vendim morën edhe këshilltarët demokratë. PS nuk e plotëson e vetme kuorumin dhe miratimi i rendit të ditës dështoi.
Sipas burimeve, kjo braktisje e mbledhjes nga ana e këshilltarëve të PSD vjen pas disa shkarkimeve të drejtorëve rajonalë të Tom Doshit në qarkun Shkodër.
Por ky nuk është qarku i vetëm ku ka tensione. BIRN denoncoi sot se ka pasur përplasje edhe në Fier. Shumë përfaqësues të PSD në këtë qark, që janë të punësuar në amdinistratë, janë shkarkuar nga detyra. Po ashtu përplasje ka pasur dhe në Këshillin Bashkiak. Gjatë muajve janar dhe shkurt, këshilltarët e PSD-së votuan kundër mazhorancës, madje ankimuan në Prefekturë disa vendime në mbledhjet e Këshillit.
Anëtarët e kësaj force politike nuk e fshehin se janë në konflikt me Partinë Socialiste. Floreta Gjini, këshilltare e PSD-së në Këshillin Bashkiak të Fierit, thotë se kriza ka nisur prej kohësh dhe fajëson për këtë ambiciet personale të drejtuesve socialistë të qarkut.
Shkarkimet dhe bllokimi i mbledhjeve vijnë para zgjedhjeve të 11 majit, duke ngritur dyshime mbi raportet Rama-Doshi: Ose kemi një ftohje mes tyre, ose Doshi po rrit pazarin para zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 2021, Tom Doshi vendosi të largohej nga Parlamenti, pas presionit amerikan. Rama ju bind Yuri Kimit dhe e la jashtë si emër, por në fakt Doshi futi në Parlament 3 besnikë të tij. Në shumë raste, deputetët e Doshit kanë shpëtuar mazhorancën në miratimin e ligjeve.
Por ka pasur raste që ka pasur dhe krisje mes tyre. Dihet tashmë që Doshi ka zaptuar gjithë Shkodrën dhe shumë poste në Tiranë, e më gjerë. Përplasja me Ramën gjithmonë ka qenë për punë postesh. Kur shkoi Spiropali në Shkodër për zgjedhjet vendore, pati sërish tensionet sepse u shkarkuan shumë drejtorë të PSD. Por raportet u qetësuan më pas.
Si duket tani situata është tensionur sërish. Doshi ka shfaqur ambicien të jetë deputet më 11 maj dhe kandidon në Shkodër. Dhe me gjasë kjo është çështje pazari, pasi Doshi kërkon ndarjen e plaçkës. /Pamfleti