Tërmet Peçi drejt pr*ngave?!

SPAK dhe BKH kontrolle në Bashkinë e Tepelenës…

Prokuroria e Posaçme dhe agjentët e BKH-s kanë zbarkuar sot në Bashkinë e Tepelenës.

Sipas raportimeve në media, dyshimet janë se SPAK ka nisur hetime pas disa lajmeve për abuzime me tenderët nga ish-kryebashkiaku Tërmet Peçi, i cili nga shtatori do të jetë deputet. Sipas burimeve janë sekuestruar dokumente dhe materiale të tjera digjitale.

Tërmet Peçi është kallëzuar në SPAK nga Partia Demokratike më 30 Prill.

Kallëzimi është bërë referuar emisionit “Plug” ku denoncoi se drejtori i Bashkisë së Tepelenës Lorenc Bami në vitin 2017 në emër të bashkëshortes Aleksandra Bami dhe në bashkëpunim me shtetasin Hekuran Hoxha, themeluan kompaninë “NG STRUCTURES shpk”.

Kjo kompani ka marrë 18 milionë euro tenderë nga bashkia e Tepelenës dhe Gjirokastrës dhe 66 milion euro tendera në total nga institucionet publike, ku spikasin ato të rindërtimit.

Gjithashtu, “NG STRUCTURES” rezulton që të jetë kompania e përzgjedhur dhe nga “IUMENTIS shpk”, kjo e fundit me firmën e Tërmet Peçit ka përfituar tokë publike dhe leje ndërtimi për thertoren rajonale të Qarkut Gjirokastër, e më pas kalon paratë tek kompania e gruas së Lorenc Bamit.

Ndërkohë, pas largimit si aksionere nga shoqëria NG STRUCTURES, Aleksandra Bami, gruaja e drejtorit Lorenc Bami themelon kompaninë “Artreum Generation” me ortak themelues Mateo Shehu, i biri i Gjolek Shehu pronarit të “IUMENTIS”.  Kompania “Artreum Generation” ka marrë nënkontraktimin e një tjetër tenderi në Bashkinë Memaliaj për ndërtimin e Ujësjellësit.

Gjithashtu, motra e Tërmet Peçit, Manjola Haska, një mësuese, drejtoreshë shkolle, është shndërruar në investitore dhe përfituese e fondeve të AZHBR, pasi me VKB të posaçme, i vëllai kryebashkiak i ka dhuruar mijëra metra katrorë tokë publike në fshatin Rexhin për ndërtimin e një Agroturizmi dhe ka përfituar një fond në vlerën 220.000 euro nga fondet e IPARD

Tërmeti i partisë nuk mund të ishte ndryshe nga shokët e Rilindjes. Me VKB të posaçme, ai i ka dhuruar motrës së tij mijëra metra katrorë tokë publike në fshatin Rexhin për ndërtimin e një Agroturizmi dhe, për financimin sigurisht i vjen në ndihmë shoqja tjetër rilindase Frida Krifca, me një financim në vlerën 220.000 euro me fondet e IPARD. Për thertoren dhe Agroturizmin e motrës, Frida Krifca ka dhënë rreth 1 milionë euro nga fondet, të cilat duhet të shkonin për fermerët. Kjo pra është thertorja korruptive në të cilën Tërmeti i partisë i futi paratë e qytetarëve të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Memaliajt”, tha në prill Arben Ristani, i cili njoftoi padinë.

Tërmet Peçi kandidoi në zgjedhjet e 11 majit dhe doli fitues. Nga shtatori ai do të jetë deputet, por nëse SPAK zbulon shkelje, nuk i dihet nëse do ta mbyllë mandatin.