“USB-ja që tr*nditi shtetin dhe ura e Këlcyrës: Kur xhelozia bëhet thriller dhe Termet Peçi bëhet agjent s*kret!”

Telenovela e Tërmet Peçit dhe historia mbi urën e Këlcyrës…

Nëse mendoni se Shqipëria është e mërzitshme dhe rutinore, mendohuni sërish. Disa ditë më parë, publiku shqiptar u përball me një “skandal” që kishte gjithçka, një grua misterioze, një politikan, një makinë, një USB, një bashkëshort xheloz, një patrullë policie dhe, për më tepër, një urë. Po, Ura e Këlcyrës që nga një monument natyre u kthye përkohësisht në selinë e operacioneve të inteligjencës së lartë.

Historia nis me Elda Xhakollarin, një emër që, deri dje, nuk të kujtonte asgjë përveç ndoshta ndonjë post pune në administratë. Deri kur një video u përhap si një valë spiunazhi Ballkanik, ajo shihej duke hipur në makinën e Termet Pecit, një figurë e njohur në politikë dhe në ndonjë debat televiziv ku zakonisht tensioni kalon kufijtë e vjedhjes.

Nga aty nisi “teoria e USB-së”. Elda, sipas zërave të padukshëm, por gjithnjë të informuar, po i dorëzonte Peçit të dhëna sensitive shtetërore në një USB. Jo më pak, por në një vend të izoluar si për film, për të mos u zbuluar. Pra, jo në një kafene, jo në një zyrë, por në një urë. Sepse, siç e dimë të gjithë, çdo operacion serioz sekret zhvillohet mbi një urë në jug të vendit, ku flenë spiunë rusë dhe mikrofonat e FBI-së.

Por pastaj vjen kthesa, vetë Elda përgënjeshtron. Thotë se ka qenë thjesht një takim pune, pa USB, pa të dhëna sekrete, pa plane për rrëzim qeverish. Madje, në një intervistë, shprehet e tronditur se si një moment personal është kthyer në një farsë publike.

Ndërkohë, burri i saj, që duket se ka pasur më shumë interes për telenovelën sesa për të vërtetën, e ka ndjekur, e ka filmuar dhe ka lajmëruar policinë. Sepse, në mungesë të shërbimeve sekrete, tani çdo bashkëshort i ofenduar është edhe hetues, edhe prokuror, edhe kameraman me 4K.

Policia shkoi në vendngjarje, pa ndonjë akt kriminal dhe u largua. Asnjë në pranga, asnjë USB që shpërthen, asnjë dokument top-sekret të firmosur nga NATO. Pra, “007, Misioni i Ures së Këlcyrës” doli të ishte thjesht një serial xhelozie me metrazh të shkurtër.

Po kush është Termet Peçi në këtë histori? Një lloj James Bond lokal që, sipas dëshmitarëve, “nuk ka as lidhje me USB-të” dhe “mezi di çfarë janë listat”. Pra, as qasje në sekrete, as zotësi teknologjike, dhe as dëshirë për ndonjë dramë më shumë se ajo që i ofron politika shqiptare çdo ditë.

Në përfundim, kemi një histori që filloi si tradhti, u trajtua si konspiracion dhe përfundoi si komedi e zezë me nota tragjikomike. Sepse në Shqipëri, edhe një takim pune në makinë, mund të shihet si kërcënim kombëtar. E gjitha kjo, ndërsa USB-të e vërteta me të dhëna delikate ndoshta janë ende të harruara në sirtarët e ndonjë zyre.

Mësimi i ditës? Në këtë vend, kujdes kur hipën në makinë me dikë për takim pune, mund të përfundosh protagonist në një film që s’e ke xhiruar kurrë.

A e besoni ju o popull këtë version të një agjenti 007 mbi urën e Këlcyrës? /Infron Albania