Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mendojnë se sulmet e SHBA-së në vendet bërthamore iraniane ishin “shumë efektive”, tha analisti i çështjeve globale të CNN, Brett McGurk.
“Ata mendojnë se sulmi ishte shumë efektiv”, tha McGurk, i cili ka shërbyer në pozicione të larta të sigurisë kombëtare nën presidentët George Ë. Bush, Barack Obama, Donald Trump dhe Joe Biden.
Ai shtoi se kishte folur me një zyrtar të lartë të administratës në lidhje me sulmet.
McGurk tha se zyrtari i lartë i administratës “e theksoi, mendoj se është e rëndësishme, se ata po flasin me udhëheqësit rajonalë dhe me Iranin se kaq është. Kjo ka të bëjë me programin bërthamor. Kjo nuk është një fushatë e zgjeruar. Ata ende duan të kthehen në rrugën e një marrëveshjeje diplomatike”.
Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump tha të shtunën se ShBA-ja ka përfunduar sulmet ndaj tre objekteve bërthamore në Iran.
“Kemi përfunduar me sukses sulmin tonë shumë të suksesshëm ndaj tre vendeve bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tani janë jashtë hapësirës ajrore të Iranit. Një ngarkesë e plotë me BOMBA u hodh në vendin kryesor, Fordow.
Të gjithë avionët janë të sigurt dhe janë në rrugën e kthimit për në shtëpi. Urime luftëtarëve tanë të mëdhenj amerikanë. Nuk ka ndonjë ushtri tjetër në botë që mund ta bënte këtë. TANI ËSHTË KOHA PËR PAQE! Ju faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj këtij çështjeje”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.
Një zyrtar amerikan i tha New York Times-it se disa bombardues B-2 ndërmorën sulmet kundër tre objekteve bërthamore.
Sulmi erdhi pasi Pentagoni zhvendosi bombarduesit e fshehtë B-2 mbi Paqësor nga baza ajrore në Missouri. B-2-at mund të mbajnë bombën GBU-57, një armë konvencionale prej 13,600 kilogramësh që, sipas eksperëve të mbrojtjes, ka potencialin më të madh për të dëmtuar objektin e pasurimit të uraniumit në Fordow.
Pak orë më parë mediat amerikane raportuan se Pentagoni po zhvendoste bombarduesit strategjikë B-2 mbi Paqësor nga baza ajrore në Missouri, për t’i vendosur ata në pozicion nëse do të jenë të nevojshëm për një sulm ndaj Iranit.
Trump më herët u kishte thënë ndihmësve të lartë se kishte miratuar planet për sulm ndaj Iranit, por po priste të shihte nëse Teherani do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor, thanë persona të njohur me diskutimet.
Ushtria izraelite vazhdoi të shtunën sulmet ndaj udhëheqjes ushtarake të Iranit dhe infrastrukturës së tij bërthamore. Ushtria njoftoi se kishte vrarë tre udhëheqës ushtarakë të tjerë iranianë dhe kishte goditur objektin bërthamor në Isfahan.
Gjenerali më i lartë i Izraelit ka paralajmëruar se lufta mund të zgjasë, duke e quajtur fushatën ushtarake më të ndërlikuar në historinë e vendit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar zyrtarisht përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftën mes Izraelit dhe Iranit, duke autorizuar një sulm ajror në objektet më të mbrojtura bërthamore të Iranit. Sipas deklaratës së tij të publikuar në rrjete sociale mbrëmjen e së shtunës, avionë amerikanë kanë bombarduar tre objekte bërthamore në territorin iranian, përfshirë objektin nëntokësor të Fordos, një nga qendrat kyçe të programit bërthamor të Iranit.
“Të gjitha avionët janë jashtë hapësirës ajrore iraniane. Të gjithë janë të sigurt dhe në rrugë për t’u kthyer në bazë,” shkroi Trump.
Sipas presidentit, objektivat e goditura ishin:
Qendra bërthamore nëntokësore në Fordo
Fabrika e pasurimit të uraniumit në Natanz, e goditur më herët edhe nga Izraeli
Objekti pranë qytetit të lashtë Isfahan, ku besohet se ndodhej uraniumi i pasuruar në nivel afër prodhimit të bombës atomike.
Tre zyrtarë iranianë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se goditjet ndodhën rreth orës 2:30 të mëngjesit sipas kohës lokale. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes konfirmoi se për sulmin ndaj Fordos u përdorën bombarduesit strategjikë B-2, të pajisur me bomba të fuqishme të tipit “bunker-buster”, të afta për të depërtuar në strukturat më të thella të betonit.
Nga qëndrim neutral në ndërhyrje të drejtpërdrejtë
Vendimi i Trump për të autorizuar ndërhyrjen ushtarake erdhi pas disa ditësh sinjalesh të përziera nga administrata amerikane, e cila fillimisht ishte shprehur se nuk do të përfshihej në sulmet ndaj Iranit. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte deklaruar më herët se prioritet i SHBA mbetej mbrojtja e trupave amerikane në rajon, duke hedhur poshtë çdo përfshirje direkte në luftë.
Por tensionet u rritën gjatë javës. Presidenti Trump kërcënoi drejtpërdrejt Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke e quajtur “një objektiv të lehtë” dhe paralajmëroi se “durimi ynë po mbaron.” Gjithashtu, ai kërkoi dorëzimin e plotë të Iranit.
Efektet dhe reagimet ndërkombëtare
Bombardimi i tre objekteve bërthamore të Iranit përfaqëson përfshirjen më të drejtpërdrejtë të SHBA-së në një konflikt me Iranin që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. Është hera e parë që forcat ajrore amerikane godasin objekte madhore brenda territorit iranian – një veprim që për shumë dekada është shmangur nga presidentët amerikanë.
Sipas analistëve ushtarakë, goditjet ndaj Fordos dhe Natanz mund të kenë dëmtuar seriozisht kapacitetet e pasurimit të uraniumit, ndërkohë që objektet në Isfahan përmbanin uranium të pasuruar deri në 60%, i gatshëm për përdorim ushtarak. Megjithatë, nuk dihet nëse materiali radioaktiv ishte zhvendosur ditët e fundit, siç kanë pohuar disa burime iraniane.
Ndërkohë, Senatori Lindsey Graham, një prej mbështetësve më të zëshëm të ndërhyrjes ushtarake, përshëndeti sulmet si “vendim i duhur”, ndërsa ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, njoftoi nisjen e evakuimeve të shtetasve amerikanë nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor, përmes anijeve turistike, fluturimeve të zakonshme, charter dhe operacioneve të drejtuara nga qeveria.
Një kthesë e rrezikshme në konfliktin Izrael-Iran
Sulmi i SHBA vjen pas një serie përshkallëzimesh të nisura nga Izraeli, i cili ndërmori një ofensivë të papritur që goditi infrastrukturën ushtarake dhe bërthamore të Iranit, duke vrarë edhe komandantë të Gardës Revolucionare Iraniane, përfshirë Mohammed Said Izadi dhe Behnam Shahriyari nga Forcat Quds.
Irani u përgjigj me breshëri raketash balistike dhe dronësh të dërguar në territorin izraelit, ndërkohë që publikisht deklaroi gatishmëri për të rifilluar negociatat për programin e tij bërthamor.
Kjo ndërhyrje amerikane pritet të sjellë një fazë të re dhe më të rrezikshme të luftës, me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin rajonal dhe global. Analistët paralajmërojnë për mundësinë e kundërpërgjigjes së Iranit ndaj interesave amerikane në rajon, si dhe për një përshkallëzim që mund të përfshijë vende të tjera.
Presidenti Trump pritet të mbajë një fjalim drejtuar kombit në orët në vijim.