Tirana është zgjuar këtë mëngjes nga lëkundje të ndjeshme tërmeti, që kanë krijuar panik dhe shqetësim te qytetarët. Rreth orës 08:59, një tërmet i fortë u ndje në kryeqytet dhe në zonat përreth, duke bërë që shumë banorë të dilnin jashtë banesave në pasiguri për situatën.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), epiqendra e tërmetit ka qenë në zonën e Fushë-Krujës, në një thellësi prej vetëm 5 kilometrash, çka e ka bërë goditjen më të fortë dhe më të ndjeshme. Magnituda e parë është regjistruar në 4.1 ballë të shkallës Rihter.
Vetëm pesë minuta më pas, rreth orës 09:04, një tjetër lëkundje u ndje në kryeqytet. Sipas EMSC, kjo pasgoditje kishte një magnitudë prej 4.0 dhe ishte gjithashtu me epiqendër në zonën e Fushë-Krujës. Tërmeti i dytë e shtoi edhe më shumë shqetësimin te qytetarët, sidomos tek ata që jetojnë në pallate të vjetra ose në zona me histori tërmetesh të forta.
Deri tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar, por autoritetet po monitorojnë situatën dhe kanë bërë thirrje për qetësi dhe ndjekjen e udhëzimeve në rast emergjence.
Kujtojmë që Shqipëria ndodhet në një zonë me aktivitet sizmik të lartë, dhe lëkundje të tilla janë të zakonshme, megjithatë goditjet e forta në orët e mëngjesit shpesh shkaktojnë panik për shkak të befasisë dhe intensitetit të tyre.