Në suazën e spektrit politik, ku Rama po “i shet” në e nga një, si bashkëpunëtorët ashtu edhe aleatët e tij para drejtësisë, një zhvillim krejt i papritur ka ndodhur në kampin e shumicës parlamentare.
PSD e Tom Doshit ka dhënë sinjale largimi nga koalicioni me PS në bashkinë e Shkodrës.
Në dukje për qejfmbetje të vogla për largime të emëruarish politikë nga puna, PSD e Doshit ka bashkuar votat me PD në këshillin Bashkiak, duke krijuar një shumicë të re, që bllokon të gjithë vendimmarrjen e Benet Becit.
Nëse Doshi e shtrin këtë aksioin më gjerë se sa kaq, pra dhe në Parlamentin e ardhshëm apo në bashki të tjera ku ai ka prani të konsiderueshme, kjo mund ta fuste ne kolaps qeverinë Rama.
Ashtu si Roma ra nga hordhitë barbare në kulmin e saj, por ndërkohë që gërryhej nga korrupsioni dhe lufta e brendshme për pushtet, ashtu edhe qeveria Rama, që në fasadë të jep idenë se e ka të sigurt dhe një mandat të 4-t, mund të shembej nga pashallarët që ajo vetë ka krijuar.
Në fakt, Toma, i nginjur me tendera dhe leje ndërtimi nga qeveria Rama, tashmë po kërkon më shumë se sa vetëm pushtet financiar, ai po kërkon të bëhet një King Maker i ri, duke zënë hendekun e krijuar nga partia e të burgosurit Ilir Meta.
Nëse Doshi e ka seriozisht këtë dhe duke pritur që në këto zgjedhje parlamentare, fuqizimi i tij ekonomik të përkthehet edhe me më shumë deputetë në Parlament, nëse ai vendos që mos të bashkohet me qeverinë Rama, mund ta rrëzojë këtë të fundit nga pushteti, dhe ta çojë vendin në zgjedhje të tjera të parakohshme.
Por ekziston gjithnjë edhe rreziku që nga një PS e përçarë pas 12 vitesh lodhjeje nga pushteti, të firojnë deputete të pakënaqur, të cilët nëse bashkojnë votat me Doshin dhe Berishën, mund të krijojnë një qeveri të re shumicë, siç bëri Meta me Berishën dhe më pas me Ramën.