TROC.AL: Belind Këlliçi shpall “operacionin e pastrimit” në PD: Oerd Bylykbashi jashtë fushës politike!

Në një prej skenave më të çuditshme të politikës së tranzicionit të përjetshëm, një operacion i heshtur por i koordinuar mirë është duke u zhvilluar në prapaskenat e Partisë Demokratike. Objektivi? As më pak e as më shumë sesa “armikun e brendshëm”, Oerd Bylykbashin.

Personazhi që për vite me radhë shfaqej si mjeshtër i reformës zgjedhore, në krah të socialistit Damjan Gjiknuri, tani po akuzohet si arkitekti i “pazareve zgjedhore të Edi Ramës me Sali Berishën”. Dikur fliste për “masakër zgjedhore”, ndërsa sot burime pranë PD-së thonë se ai është… pjesë e recetës së saj.

Por kur ndodhi krisja? Burime jo fort zyrtare (por shumë të informuara) tregojnë se gjithçka ndodhi kur Bylykbashi nisi të kërkonte hapjen e kutive të Tiranës, gjë që vendosi në siklet askënd tjetër përveç Belind Këlliçit, i cili në atë kohë drejtonte politikisht garën. Dhe çfarë doli nga kutitë? Që Belindi kishte humbur, sërish, edhe pse askush nga partia nuk ishte njoftuar për këtë lëvizje të Oerd-it.

Tani, sipas një plani “të padukshëm por të qartë”, Belindi bashkë me Klevisin dhe një tufë të tjerë (të padallueshëm nga njëri-tjetri), po kërkojnë ta ç’politizojnë politikisht Oerdin, duke e larguar nga çdo tryezë reformash zgjedhore dhe duke marrë vetë kontrollin e “platformës së ndryshimit”… që ndryshim nuk sjell.

Në PD duket se ka nisur një reformë zgjedhore… por me armëthyerje të brendshme. Dhe Bylykbashi, nga “inxhinier reformash”, po trajtohet si “defekt sistemik”. TROC.AL