Si e përgatiti Edi Rama goditjen ndaj Erion Veliajt: Loja e madhe për Tiranën, braktisja e Blendi Gonxhes dhe ‘asi’ i ri nën mëngë…
Pas fitores së madhe të Veliajt në Tiranë dhe ngritjes së një lobi autonom, Edi Rama nisi planin për ta eliminuar politikisht, duke ndërtuar aleanca të reja dhe përzgjedhur një pasues të kontrollueshëm, jashtë PS-së, për të mbajtur pushtetin e kryeqytetit nën kontroll absolut deri në 2030.
Në mjediset e larta të mazhorancës dhe në sallonet diplomatike të rëndësishme, prej kohësh është përfolur për një lëvizje të menduar dhe planifikuar nga Edi Rama: goditjen politike të Erion Veliajt dhe rimarrjen në kontroll të plotë të Tiranës. Ky projekt është ndërtuar me kujdes pas tërmetit të 2019-ës, kur për herë të parë Rama e nxori hapur pakënaqësinë e tij ndaj kryebashkiakut.
Në një video live të asaj kohe, ai tall publikisht Veliajn, duke e këshilluar të zgjohej në orën katër të mëngjesit dhe të lyente shkallët e pallatit. Ishte sinjali i parë i një distance që më pas u kthye në përplasje të heshtur dhe llogari politike.
Pas pandemisë dhe fitores në zgjedhjet e 2021-shit, Veliaj doli më i fortë se kurrë. Ai ngriti një makineri elektorale që jo vetëm garantoi fitore në të gjitha bashkitë e qarkut Tiranë, por u perceptua si një lider i fortë lokal, me ndikim përtej PS-së. Aleancat e tij me grupe interesi, komunitete fetare, organizata, mjekë e mësues, i dhanë një profil social të gjerë dhe të pavarur. Madje, deklarata e tij e shpeshtë “nuk rri me lacat”, u perceptua si thumbim i drejtpërdrejtë ndaj Edi Ramës dhe aleancave të tij me segmentet e forta të errëta.
Kjo situatë e rriti më tej tensionin mes dy kampeve. Veliaj nisi të fliste për fitoren historike në Tiranë, duke marrë meritat për rezultatin. Rama, nga ana tjetër, e quajti Tiranën “objektiv të parealizuar”, madje nisi lëvizjet për të dobësuar strukturën politike të PS-së në kryeqytet.
Hetimet për inceneratorët dhe PPP-të e Shëndetësisë, që nisën pikërisht pas këtij momenti, i dhanë Ramës një shans të artë për të ndëshkuar Veliajn. Mediat e oligarkëve të afërt me kryeministrin nisën të godasin publikisht kryebashkiakun. Në një deklaratë të bujshme në një konferencë shtypi, Rama tha: “Lalin do ta varim në një nga pemët që ka mbjellë vetë”.
Kjo nuk ishte një batutë. Ishte paralajmërimi i qartë për fillimin e planit për eliminimin politik të Veliajt dhe shpërbërjen e lobit të tij. Rama vendosi të rikthente Blendi Gonxhen si pjesë e planit B, një figurë e vjetër e lidhur ngushtë me kryeministrin, që gjithmonë ka shërbyer si ndërmjetës mes grupeve dhe si “dyshi” në lojën e liderit.
Në zgjedhjet e brendshme të PS-së për Tiranën, Gonxhe u paraqit si kandidati numër 1 me orientim nga vetë Rama, për të mos lejuar avancimin e ndonjë figure të vjetër si Fatmir Xhafaj, që mund të dilte jashtë kontrollit.
Por për bashkinë e Tiranës, Rama ka zgjedhur një kandidat tjetër, jashtë PS-së, por i afërt me rrethin e tij të ngushtë të pushtetit. Mediat pranë mazhorancës kanë nisur promovimin e tij, madje edhe ato që dikur mbronin Veliajn kanë ndërruar ton.
Kjo lëvizje tregon qartë një strategji afatgjatë për të bllokuar çdo alternativë politike që del jashtë kontrollit personal të Edi Ramës. PS-ja për të është thjesht një mjet për mbajtjen e pushtetit, siç e ka pranuar vetë. Aleancat e tij janë me grupe jashtë saj; ekonomike, mediatike, ndërkombëtare dhe informale.
Përmbysja e Veliajt nuk është thjesht një hakmarrje politike apo ndëshkim për protagonizëm. Është pjesë e një skeme të madhe për të çimentuar kontrollin mbi Tiranën dhe për të mbajtur të bllokuar çdo ambicie jashtë “stanit” të Ramës deri të paktën në vitin 2030. Kurbani është bërë, lojtari i ri ka hyrë në fushë dhe loja sapo ka nisur. /Pamfleti