Një tryezë e organizuar për lirinë e medias në Shqipëri u shndërrua në një moment të tensionuar, kur gazetari i njohur Lutfi Dervishi ngriti akuza të forta ndaj Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) dhe drejtueses së tij, Eni Vasili. I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, por askush nga të ftuarit nuk reagoi ndaj deklaratave të Dervishit.
Në një ndërhyrje të drejtpërdrejtë, Dervishi deklaroi se RTSH ka humbur pavarësinë dhe është e kapur nga politika, duke akuzuar drejtuesit për shkelje të rregulloreve, manipulim financiar me shifra të fryra dhe mungesë të plotë të reformës editoriale. Ai u shpreh se drejtimi i institucionit është kthyer në një rol teknik, pa ndikim real në përmbajtje, duke rrezikuar misionin e medias publike.
Tryeza, që synonte të nxiste debat mbi lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e mediave në vend, u karakterizua nga një heshtje e thellë pas fjalës së Dervishit. As drejtuesja e RTSH-së, Eni Vasili, nuk reagoi apo foli, ashtu si ministrja Adea Pirdeni, dhe pedagogu Mark Marku, të cilët ishin të pranishëm.
Qëndrimi i heshtur i figurave kyçe në një tryezë për lirinë e medias ngriti pikëpyetje mbi gatishmërinë e institucioneve për të përballuar kritikat dhe për të mbrojtur vërtet pavarësinë e mediave në Shqipëri.