I humbi babai, djali vë në dispozicion 50 mijë euro, kërkon ndihmën e Edi Ramës: Ma gjej babain

Kanë kaluar 21 ditë kur shtetasi Lekë Ndreshaj, 78 vjeç, në fshatin Bzhetë të Malësisë së Madhe  është zhdukur në rrethana misterioze.

78-vjeçari kishte shkuar për të marrë pjesë në një ceremoni mortore ku aty është ndjerë keq dhe nga ai moment nuk ka më asnjë gjurmë të tij.

I biri i të moshuarit ka vënën në dispozicion një shumë prej 50 mijë eurosh për këdo që e gjen babanë e tij.

Pas kërkimeve gjatë këtyre ditëve pa rezultat, familja e 78-vjeçarit i kanë dërguar një kërkesë zyrtare kryeministrit Edi Rama për ndihmë.

Njoftimi i plotë i familjarëve:

Tiranë, 30 Qershor 2025, Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Lënda: Kërkesë urgjente për ndihmë shtetërore dhe mobilizim për gjetjen e qytetarit Lekë Ndreshaj

I nderuar Z. Kryeministër, Unë, Gëzim Lekë Ndreshaj, banues në Bruksel dhe biri i z. Lekë Ndreshaj, i drejtohem me këtë thirrje publike dhe urgjente për ndihmën tuaj në gjetjen e babait tim, i cili është zhdukur që prej datës 9 qershor 2025 në fshatin Bzhetë, Malësi e Madhe, gjatë pjesëmarrjes në një ceremoni mortore të dajës tim.

Që nga ajo ditë nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen apo gjendjen e tij. Kërkimet tona familjare dhe komunitare nuk kanë sjellë rezultat, ndërkohë që terreni i thepisur dhe mungesa e mjeteve teknike e bën të pamundur vazhdimin efektiv të kërkimeve pa ndihmën e shtetit.

Ju lutem me përulësi të mobilizoni: Forcat e Ushtrisë së Shqipërisë, Strukturat e Policisë së Shtetit, Administratën e Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe njësive vendore, Helikopterë dhe dronë të pajisur me kamera termike dhe teknologji të specializuar për kërkim-nxjerrje

Çdo orë që kalon është jetike. Familja jonë jeton në ankth dhe ka nevojë për ndërhyrjen tuaj të menjëhershme si kryetar i qeverisë dhe si përfaqësues i një shteti që nuk braktis qytetarët e vet në momente të tilla.

Për çdo informacion apo bashkëpunim, ju lutem na kontaktoni në: Email: [email protected], Telefon: +32 456 19 27 20 Me shpresë, dhimbje dhe respekt të thellë, Gëzim Lekë Ndreshaj, Bruksel, Belgjikë.