Në një letër publikuar nga EUReporter, Shqiponja Veliaj, nëna e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë një apel publik institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare, duke e cilësuar ndalimin e të birit si një “makth kafkian” dhe një shkelje të rëndë të të drejtave themelore.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej pesë muajsh, që nga arrestimi i tij në shkurt nga SPAK, nën dyshime për korrupsion – akuza që ai i mohon. Deri më tani, sipas familjes së tij dhe përfaqësuesve ligjorë, nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare dhe nuk janë paraqitur prova konkrete.
Në letrën e saj, nëna e kryebashkiakut e përshkruan situatën si absurde dhe në kundërshtim me vlerat evropiane të shtetit të së drejtës:
“Djali im është mbajtur në izolim pothuajse të plotë, pa asnjë akuzë të ngritur, dhe pa qasje të plotë te mbrojtja e tij ligjore ndërkombëtare. Familja ime u përfshi papritur në një makth kafkian.”
Shqiponja Veliaj vë theksin te mungesa e proporcionalitetit në masat e marra ndaj të birit dhe ngre shqetësimin se kjo nuk është një çështje personale, por simptomë e një problemi më të gjerë sistemik në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Ajo përmend rastin e ish-drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçi, për të cilin KEDNJ ka konkluduar se paraburgimi ishte i paligjshëm, si dhe faktin që rreth 60% e të burgosurve në Shqipëri ndodhen në paraburgim, shumë më tepër se mesatarja evropiane.
“Kjo praktikë ‘arresto tani, grumbullo prova më vonë’ po shkatërron jetë dhe karriera. Nëse kjo është fytyra e reformës në drejtësi, atëherë ne kemi devijuar rrugën,” shkruan ajo.
Duke përshëndetur misionin e SPAK dhe rëndësinë e reformës në drejtësi për integrimin e Shqipërisë në BE, ajo thekson se ligji duhet të zbatohet drejt për të gjithë, pa shkelur parimet e procesit të rregullt ligjor dhe të drejtës së mbrojtjes.
Në përfundim të letrës, nëna e Veliajt apelon për reflektim dhe veprim nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare:
“Nuk kërkoj trajtim të veçantë për djalin tim. Kërkoj vetëm që të trajtohet me dinjitet, në përputhje me ligjin, si çdo qytetar tjetër.”