Një ngjarje tronditëse e ndodhur në fshatin Sheqishte të Fierit vazhdon të trazojë opinionin publik edhe ditë pas zbulimit të saj. Pas arrestimit të një babai që dyshohet për abuzim s*ksual ndaj vajzës së tij 12-vjeçare, familja e v*ktimës është lënë në mëshirë të fatit. Në mes të kësaj tragjedie ndodhet Juela Meta, nënë e 7 fëmijëve, e cila aktualisht endet rrugëve të Fierit me të vegjlit e saj, e dërrmuar jo vetëm nga trauma, por edhe nga mungesa e plotë e mbështetjes institucionale.
Xhemal Ruko, babai i Juelës dhe gjyshi i 7 fëmijëve të saj, ka dalë publikisht me një apel të fortë për ndihmë, jo vetëm nga shteti, por edhe nga bizneset dhe qytetarët e ndjeshëm që kanë mundësi të kontribuojnë. “Fëmijët kanë mbetur jetim, sepse babai i tyre ndodhet në burg, ndërsa e ëma është e pafuqishme për të punuar – më i vogli nga fëmijët është vetëm 1 vjeç,” thotë ai me lot në sy.
Ruko tregon se bashkia ka dhënë 200 mijë lekë ndihmë dhe ka premtuar mbulimin e qirasë për një banesë, por kjo është një zgjidhje e përkohshme që nuk i mbulon as nevojat bazike të një nëne me 6 fëmijë në krah. Madje, edhe banesa ende nuk është gjetur, ndërsa Juela dhe fëmijët qëndrojnë në kushte të papranueshme.
Në një tjetër detaj të dhimbshëm, gjyshi thotë se nuk kanë asnjë kontakt me mbesën 12-vjeçare, e cila aktualisht ndodhet në një qendër rehabilitimi në Tiranë. “Nuk isha në dijeni të situatës, në të kundërt do të sillesha ndryshe,” thotë Ruko, duke shprehur jo vetëm keqardhjen, por edhe ndjenjën e fajit që nuk arriti ta ndalonte këtë krim monstruoz në kohë.
Nga ana tjetër, shërbimi social i bashkisë Fier, sipas deklaratave të Juelës jashtë kamerave, nuk i ka kontaktuar asnjëherë për të parë nga afër gjendjen e tyre. Në mungesë të institucioneve, kanë qenë gazetarët lokalë të parë që janë solidarizuar me situatën, duke ndihmuar familjen me pako ushqimore dhe produkte të tjera të nevojshme. Më pas, ndihmës iu bashkua edhe një biznes fierak, që ka ofruar mbështetje për nënën dhe fëmijët.
Kjo histori, përveçse dramatike, nxjerr në pah një dështim të rëndë të sistemit të mbrojtjes sociale, i cili në vend që të ishte në vijën e parë të ndihmës për një nënë me 7 fëmijë në rrezik, është mjaftuar me ndihma të pjesshme dhe premtime pa zbatim.
Familja e Juelës ka nevojë për ndihmë të menjëhershme dhe afatgjatë – ushqim, strehim, përkujdesje mjekësore, ndihmë psikologjike dhe integrim social. Përndryshe, një krim që ka lënë pas plagë të thella do të pasohet nga një tragjedi sociale edhe më e madhe.
Apeli është i hapur – kushdo që ka mundësi të ndihmojë, ta bëjë tani.




