Jamarbër Malltezi ka rrëfyer sot bisedën që ka zhvilluar me vjehrrin e tij, Sali Berishën, pas zgjedhjeve të 11 majit. Ai ka zbuluar se menjëherë pas publikimit të rezultateve i ka kërkuar Berishës të dorëhiqet nga drejtimi i PD-së, por sipas tij, Berisha ishte gati të largohej, derisa doli në pah manipulimi masiv i votës dhe “krimet zgjedhore”.
“Fill pas zgjedhjeve i thashë Berishës që nuk ja vlen më, është lodhje. Shqiptarët nuk e duan këtë dhe duhet të japë dorëheqjen. Edhe ai vetë e shihte dhe ishte i përgatitur për këtë. Por kur dolën faktet e manipulimit, krimet e votës, nuk mund të tërhiqej më”, – u shpreh Malltezi.
Ai shtoi se PD nuk është në krizë lideri, por në sulm të jashtëzakonshëm shtetëror, dhe se kërkesat për ndryshim brenda partisë janë të shëndetshme.
“Fakti që ka zëra që kërkojnë lidership të ri tregon që PD është një forcë demokratike. Nuk është si PS-ja që i heq të gjithë me gisht”, – tha ai.
Malltezi theksoi gjithashtu se Berisha nuk është ngjitur në krye për ambicie personale, por për të shpëtuar PD-në nga pengmarrja, sipas tij, gjatë periudhës që ajo drejtohej nga Lulzim Basha. Ndërsa për veten u shpreh:
“Unë nuk kam ambicie politike, por jam i gatshëm për çdo pozicion. Kam qenë dhe do jem kundër Partisë Komuniste dhe kundër Edi Ramës.”
Në fund, Malltezi theksoi se PD do të futet në një proces analize dhe rizgjedhjeje, duke lënë të hapur mundësinë për një ndryshim të lidershipit në të ardhmen, por sipas tij, jo në mënyrën që kërkohet sot – me dorëheqje të menjëhershme nën presion.