Agon Zejnullahu 27 vjeç humbi jetën në duart e pesë policëve në Libjan. Ngjarja ka tronditur Kosovën dhe jo vetëm. Vëlai i tij Albani ka folur këtë mbrëmje për emisionin “Top Story” duke hedhur akuza të forta pasi sipas tij Agonin e vrau policia. Albani tregon edhe bisedën e fundit me vëllain e tij para ngjarjes.
“Ka ndodhur ajo që nuk do ta besonte asnjë person i një vendi demokratik. Na u vra vëllai nga disa zyrtarë policorë.
Dy orë para ngjarjes kam komunikuar për herë të fundit. Ishte në gjendje normale. Më pyeti se kur do të vinin fëmijët e mi se e kishte marrë malli. Fëmijët erdhën, ai doli, dhe nuk i pa më kurrë”, u shpreh ai.
Fillimisht u raportua se i riu kishte ndërruar jetë pas një infarkti nga sasia e lartë e alkoolit që kishte konsumuar, por nga videot e publikuara së fundmi, ngjarja është krejt tjetër nga ajo çfarë kanë dashur të raportojnë autoritetet kosovare.
Në një video rreth 15 minuta, shihet se 27-vjeçari dhunohet nga efektivët e policisë në mënyrë brutale me qëllim arrestimin e tij.
Në lidhje me ngjarjen u arrestuan pesë zyrtarët policorë dyshohen për kryerje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia”. Arrestimi i tyre vjen pas rekomandimit të IPK-së që Policia të vendosë masën e pezullimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në ngjarje.