Përça dhe sundo! 3 lajme brenda dy orësh, kush po e s*lmon befasisht Lapajn?

Në harkun e dy orëve, sot u publikuan tri lajme në disfavor të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe drejtuesit të saj, Adriatik Lapaj.

Lajmi i parë: daja i Endrit Shabanit rezulton se ka kërkuar në KQZ një kopje të dorëheqjes së tij nga mandati (pjesë e listës së sigurt në qarkun Tiranë). Ai pretendon se nuk është i bindur se përse ka firmosur në dokumentin e dorëheqjes. Me pak fjalë, Lapaj rrezikon të mos e marrë mandatin e deputetit, nëse emrat e listës së mbyllur nuk japin të gjithë dorëheqjen.

Lajmi i dytë: Azmer Duleviç, kandidati i “Shqipëria Bëhet” në Fier, rezulton se ka dhënë dorëheqjen nga partia. Ai shkroi vetë në profilin e tij zyrtar në Facebook se ka vendosur të ndjekë një rrugë ndryshe në politikë. Ai ishte vetëm 500 vota larg mandatit në Fier, ku “Shqipëria Bëhet” mori mbi 9 mijë vota.

Lajmi i tretë: zv/kryetarja e “Shqipëria Bëhet”, Etleva Merko, është tërhequr nga partia. Ajo e konfirmoi këtë në një reagim për “Lexo.al”. Praktikisht, numri 2 i partisë braktis Lapajn.

Ajo që bie në sy nga kjo seri lajmesh është se të trija ngjarjet ndodhën brenda ditës. Madje, përgjatë dy orëve kohë gjithsej. Befasisht, tre vetë u kujtuan në të njëjtën ditë për të vepruar. Duket sikur dikush brenda partisë (ose jashtë saj) po tenton ta sulmojë Lapajn.

Mister i madh… Ajo që hamendësohet është se në strukturat e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” ka përplasje. Dikush ose disa janë kundër drejtuesit.