Dorëheqjet e fundit të njëpasnjëshme të drejtorëve dhe kryetarëve të njësive administrative në bashkitë e vendit duket se fshehin një strategji të re të Kryeministrit Edi Rama. Sipas analizës së gazetarit Mariglen Kume, Rama po përdor një metodë të kamufluar për të riformuar administratën, duke synuar afrimin e figurave nga e djathta opozitare dhe shpërblimin e individëve që kanë kontribuar në fushatën e tij.
Kume shpjegon se në vend të shkarkimeve formale me vendim, kryeministri po komunikon verbalisht me drejtuesit, duke i nxitur ata të largohen me dëshirë, duke dorëzuar dorëheqjen. “Pas vizitës së Ramës dhe mbledhjes së tij me drejtuesit dhe kryetaren të gjithë drejtorët dhe kryetarët e njësive administrative kanë dorëzuar dorëheqjen dhe janë larguar nga postet e tyre. Rama ligjërisht është kujdesur të jetë procedurë ligjore korrekte se nuk kemi shkarkim procedural, por komunikim verbal, i kërkon të largohen dhe ata paraqesin dorëheqjen,” – tha gazetari.
Sipas Kumes, kjo taktikë po përdoret për të krijuar hapësira të reja në administratë, me synimin për të afruar sa më shumë figura të njohura nga opozita, të cilët pritet të marrin poste drejtuese. Ai shtoi se një tjetër arsye e mundshme pas këtij “riorganizimi” është shpërblimi i personave të ndryshëm që kanë mbështetur dhe kanë sjellë vota për Ramën gjatë fushatës zgjedhore.
Në Durrës, ashtu siç u bë publike pas takimit të Ramës me strukturat lokale të PS-së, të gjithë drejtorët e bashkisë dhe drejtuesit e njësive administrative kanë dhënë dorëheqjen pranë kryebashkiakes Emiriana Sako. Një komision i kryesuar nga kjo e fundit dhe disa deputetë do të vendosin për rikonfirmimin ose jo të drejtuesve në pozicionet e tyre.
Procesi i dorëheqjeve nisi fillimisht në Vlorë, Fier dhe Elbasan dhe pritet të vijojë me të njëjtën “formulë” edhe në të gjitha bashkitë e tjera të vendit, me përjashtim të drejtuesve të policisë. Kjo lëvizje e Ramës sugjeron një fazë të re në qeverisje, me fokus të mundshëm në ndryshime strategjike në administratë dhe në raportet politike me opozitën.