Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se vizitat e amerikanëve në SPAK, apo diplomatëve të tjerë të huaj, janë pasuar me arrestime të mëdha.
Në një emision televiziv, Karamuço u shpreh se mbështetja e SHBA ndaj SPAK nuk do të përfundojë.
“Vizitat e herë pas hershme të diplomatëve, gjithmonë pasohen nga një arrestim i madh. Na kanë ndodhur herë pas herë, kur ka shkuar anglezi, amerikanët na kanë dalë përshtypjet. Është si një mesazh mbështetjeje. Nga ana tjetër, po zhvillohet debat për drejtuesin e ri të BKH. Amerika ka dhënë kontribut, edhe në testimet e para, trajnimet që ka pasur. Sot ishte testi fizik, në repartin e RENEA-s, u zhvilluan që në mëngjes. Është reduktuar në përgjithësi mbështetja, por mbështetja nuk ka për të përfunduar ata. Është një mesazh që ti dërgon, që ata janë mbrapa gjithmonë dhe nuk ikin.”, theksoi ai.
Sistemi gjyqësor në Shqipëri prej kohësh funksionon me një numër të kufizuar prokurorësh e gjyqtarësh, shqetësim ky i ngritur dhe nga institucionet vendase, por gjithashtu dhe një problematikë e vënë në pah nga ndërkombëtarët.
Vetëm dy ditë më parë u publikua raporti i Komisionit Europian lidhur me grupkapitullin për “Sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri”, duke veçuar si problematikë kryesore vakancat e tepërta në sistemin gjyqësor.
“Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore, përfshirë magjistratët, vazhdon të ndikojë negativisht në cilësinë e drejtësisë”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Aktualisht, në Shqipëri janë në detyrë 272 gjyqtarë dhe 221 prokurorë, pothuasje gjysma e numrit për të plotësuar nevojën e vendit, ku konkretisht kërkohen në total 417 gjyqtarë dhe 341 prokurorë.
Raporti i KE-së ngre shqetësimin e kuotave të ulëta në arsim për Shkollën e Magjistraturës, vende të përcaktuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Sipas raportit, kuotat nuk janë aspak të mjaftueshme për të furnizuar me prokurorë e gjyqtarë institucionet e drejtësisë.
“Një burim shtesë shqetësimi janë kuotat e vendosura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2025-2026, pasi ato janë gjerësisht të pamjaftueshme për të siguruar që, në afat të mesëm, vendet e lira të plotësohen gradualisht. Rritja e numrit dhe cilësisë së kandidatëve për magjistratë dhe asistentë ligjorë të pranuar në Shkollën e Magjistraturës është thelbësore”, thuhet në raport.
KLGJ dhe KLP kanë përcaktuar për vitin arsimor 2025-2026 kuotat më të ulëta krahasuar me 5 vitet e fundit. Respektivisht në Magjistraturë mund të regjistrohen 10 kandidatë për gjyqtarë dhe 12 kandidatë për të qenë prokurorë.
Në një reagim për Report Tv, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë u shprehën se përcaktimi i kuotave është kryer duke mbajtur në konsideratë një sërë faktorësh siç janë nevojat aktuale për gjyqtarë në sistemin gjyqësor, nevojat e pritshme, duke përllogaritur vendet që priten të bëhen të lira, nevojat aktuale dhe në vijimësi për gjyqtarë në institucionet e sistemit të drejtësisë, mundësitë e plotësimit të nevojave aktuale dhe atyre të pritshme në një të ardhme të afërt, si edhe kapacitetet e Shkollës së Magjistraturës”.
Vijon të jetë e paqartë se në bazë të cilave parametra janë përcaktuar kuotat nga KLGJ dhe KLP, por deri më tani nuk është zhvilluar ndonjë studim për të analizuar në thelb nevojat e sistemit.
“Pozicionet e këshilltarëve ligjorë mbeten të kufizuara. Ndryshimet ligjore janë ende të nevojshme për të siguruar një provim të veçantë pranimi për magjistratët dhe këshilltarët ligjorë, si dhe një rrugë përparimi në karrierë për këta të fundit”, thekson raporti i Komisionit Evropian duke nxjerrë në pah dhe mungesat në sistem për këshilltarët ligjorë.