Elmas Bogdani
Pavarësisht ironisë së situatës dhe deklaratave të ashpra për “qeverinë ilegjitime”, ish-kryeministri Sali Berisha sinjalizoi dje mundësinë e një bashkëpunimi me Partinë Socialiste, duke lënë derën hapur për një tryezë me kryeministrin Edi Rama. Në një dalje për mediat nga selia blu, kreu i Partisë Demokratike pranoi se Reforma Zgjedhore është një proces që kërkon dialog politik, edhe me ata që ai vetë i akuzon për vjedhje zgjedhjesh. “Reforma zgjedhore bëhet nga partitë politike, nuk them që PS nuk është parti e spektrit politik në vend.
Me PS mund të ulemi, me qeverinë jo, sepse nuk ka legjitimitet,” tha Berisha, duke tentuar të bëjë një dallim të paqëndrueshëm mes Ramës si kryeministër dhe PS-së si forcë politike, pavarësisht se janë një e njëjta gjë në realitetin qeverisës. Ky pozicion i dyzuar i Berishës, që nga njëra anë shpall mosnjohjen e zgjedhjeve të 11 majit si “farsë” dhe nga ana tjetër pranon diskutimet për një reformë zgjedhore me të njëjtët aktorë që i quan “ilegjitimë”, ka shtuar dyshimet për një tjetër pakt të heshtur mes tij dhe Ramës.
Reforma Zgjedhore si skenari i parë i bashkëpunimit
Reforma Zgjedhore ka qenë prej vitesh një temë delikate, e shfrytëzuar nga partitë kryesore për të konsoliduar pozitat e tyre dhe për të kontrolluar proceset elektorale. Megjithëse PD-ja dhe PS-ja kanë folur shumë për “përmirësimin e standardeve të votës”, realiteti politik është se të dyja palët kanë interes që sistemi të qëndrojë nën influencën e tyre të përbashkët.
Sinjalet e Berishës për diskutim me PS-në mbi reformën tregojnë gatishmërinë për të hyrë në një marrëveshje që jo vetëm do t’i lejojë ata të ruajnë kontrollin mbi mënyrën si zhvillohen zgjedhjet, por edhe do t’u mundësojë një “rehabilitim formal” pas kritikave dhe akuzave publike që kanë shkëmbyer gjatë viteve të fundit. Ky proces pritet të jetë i mbushur me kompromise dhe pakti i fshehtë pritet të ketë elementë që nuk do të bëhen kurrë publikë.
SPAK, “viktima” e ardhshme e paktit Rama-Berisha
Por në sfond të kësaj marrëveshjeje të mundshme që po thuret, qëndron një interes më i errët dhe më i madh: fatin e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është sot një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re në Shqipëri, që ka nisur hetime kundër një game të gjerë zyrtarësh dhe personash të fuqishëm politikë, përfshirë vetë kryeministrin Edi Rama dhe Sali Berishën.
Në këtë kuadër, pakti i heshtur mes dy liderëve duket se ka një fokus të dyfishtë: jo vetëm të mbyllë konfliktet e hapura politike përmes një reforme zgjedhore që i shërben interesave të tyre, por edhe të shkrijnë ose të dobësojnë SPAK-un, duke goditur kështu më në themel betejën për drejtësi dhe ndëshkim të korrupsionit politik. Shkrirja e SPAK-ut ose kufizimi i kompetencave të tij do të ishte një goditje serioze ndaj reformës në drejtësi dhe një mënyrë për të “pastruar” hapësirën politike nga kërcënimi i hetimeve të ardhshme, duke krijuar një “mburojë ligjore” për liderët aktualë dhe ish-liderët që kanë nevojë të shpëtojnë nga akuzat penale.
Skema
Thuhet se plani i tyre për të goditur SPAK do të jetë komisioni “Xhafaj”, një komision i cili ka si synim luftën ndaj korrupsionit dhe rishikimin e strukturës së institucioneve. Jo pa qëllim puna e këtij komisioni u zvarrit dhe konkluzionet u lanë pas zgjedhjeve. Sot, me një Parlament nën kontroll total dhe me institucionet e pavarura nën presion, PS-PD ka gjithçka që i nevojitet për të ndërhyrë në thelb të sistemit. Nuk do të ishte çudi që nën pretekstin e “efikasitetit” të propozohet shkrirja e institucioneve si KLSH apo ILDKP, apo kufizimi i kompetencave të SPAK. Këtë alarm e ka ngritur Brukseli ku e kritikoi komisionin “Xhafaj” dhe vendosi vijat e kuqe duke paralajmëruar politikën se SPAK është i paprekshëm.