Më pak se një muaj pas marrjes së mandatit të katërt, Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një sërë veprimesh të papritura që kanë vënë në lëvizje zonat ku ai siguroi fitoren në zgjedhjet e 11 majit. Sipas një analize të publikuar nga Pamfleti.al, shkarkimet e drejtuesve të bashkive në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier, si dhe aksioni i IKMT-së në Theth gjatë sezonit turistik, nuk janë thjesht reagime të momentit, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar.
Analiza sugjeron se Rama, pavarësisht mazhorancës së tij të sigurtë, po vepron sikur të ishte në panik, por në fakt, këto lëvizje janë pjesë e një plani për të imponuar frikë dhe kontroll, veçanërisht ndaj atyre që mund të paraqesin një sfidë reale për pushtetin e tij.
Pamfleti.al hedh dritë mbi një teori sipas së cilës faktorët ndërkombëtarë mund të jenë duke shqyrtuar një “plan B” politik për Shqipërinë, duke e lidhur këtë me përfundimin e mandatit të drejtuesit aktual të SPAK-ut në dhjetor. Nëse Altin Dumani nuk merr një mandat të dytë dhe vendos të hyjë në politikë me mbështetjen e Perëndimit, kjo mund të jetë sfida më serioze për Ramën që nga viti 2013.
Në këtë kontekst, sipas analizës, Rama ka nisur të zbatojë atë që autori e quan “teoria e kaosit”: të shkaktojë lëvizje të forta, të ngatërrojë terrenin politik, të vendosë njerëz të opozitës në pozicione drejtuese dhe të krijojë një atmosferë konfuze për të gjitha palët. Vlora përmendet si pikënisja simbolike e kësaj strategjie.
Autori i analizës e sheh këtë si një lojë force të nisur nga Rama për t’u përdorur në vjeshtë, kur pritet që krizat politike dhe sociale të arrijnë kulmin. Ai e krahason modelin e Ramës me atë të Vuçiç në Serbi, duke simuluar krijimin e një lëvizjeje të re politike me fytyra të reja, por nën kontrollin e tij. E gjithë kjo, sipas Pamfleti.al, është një sinjal i qartë për ata që mund të jenë duke planifikuar fundin e tij politik: Rama nuk do të largohet pa “ndëshkuar”.