“Furtuna” nuk ndalet/ Kryeministri Rama shkund Tiranën neser, çfarë pritet te ndodhe

Pas “furtunave” në Vlorë, Fier dhe Durrës, kryeministri Edi Rama pritet të vijojë ofensivën e tij politike dhe administrative edhe në kryeqytet. Burime për Top Channel konfirmojnë se të hënën paradite, në orën 08:30, Rama do të zhvillojë një takim me drejtuesit e bashkisë së Tiranës, si dhe me deputetët aktualë e të rinj të Partisë Socialiste në këtë qark.

Takimi, i cili do të mbahet në ambientet e një hoteli në qendër të kryeqytetit, pritet të jetë i një formati të ngjashëm me ato të zhvilluara në qytetet e tjera gjatë javëve të fundit – një përballje e drejtpërdrejtë ku pritet analizë e fortë, kërkesë llogarie dhe, nëse ndjekim precedentin, edhe shkarkime ose kërkesë për dorëheqje.

Deputetët dhe drejtuesit e bashkisë janë ndarë paraprakisht në grupe pune për të evidentuar problematikat në terren, një detyrë që u është ngarkuar nga vetë Rama dy javë më parë. Ky raportim nga baza, që do të paraqitet në takim, pritet të jetë pika e nisjes së analizës dhe vendimeve të pritshme të kryeministrit për strukturat drejtuese të Tiranës.

Prej disa javësh, Rama ka ndërmarrë një aksion të paprecedentë “pastrimi” në administratën vendore, me largime masive drejtorësh dhe sinjale të qarta ndaj kryebashkiakëve për performancën e tyre. Fjalët kyçe të kryeministrit kanë qenë: efikasiteti, përgjegjësia dhe riorganizimi i thellë – një mesazh i qartë se askush nuk ka imunitet përballë “fshesës” së rilindjes administrative.

Në Vlorë u shkarkuan 21 drejtorë, në Durrës dhe Fier pati kërkesa të drejtpërdrejta për dorëheqje dhe paralajmërime për “masa të dhimbshme” nëse vijojnë dështimet. Tani radhën e ka Tirana – zemra politike, institucionale dhe ekonomike e vendit – ku vëmendja do të jetë edhe më e madhe, sidomos për shkak të peshës që kjo bashki ka në strukturën e pushtetit socialist.

Takimi i të hënës shihet si një moment kyç në fazën e reformimit të administratës vendore dhe përgatitjes për një rilindje të katërt të Partisë Socialiste, teksa Rama ka lënë të kuptohet se po ndërton themelet për një qeveri të re, një strukturë të re dhe ndoshta edhe një cikël të ri politik.

Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë “kokat që do të bien” në Tiranë dhe sa thellë do të shkojë ky spastrim, por një gjë është e sigurt: të hënën në mëngjes, shumë drejtues do të ulen në një tryezë ku nuk do të ketë vend për justifikime.