Kryeministri Edi Rama ka komentuar gjatë mbledhjes me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje në Theth, duke theksuar se situata në këtë zonë turistike është më serioze nga sa mund të duket në pamje të parë.
Rama sqaroi se ndërhyrja e autoriteteve nuk është e drejtuar kundër personave të varfër që mund të kenë ndërtuar për mbijetesë, por kundër individëve që, sipas tij, kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme një zonë të mbrojtur me qëllim përfitimi ekonomik. “Dua të ndalem një moment te çështja e Thethit për të adresuar disa këndvështrime që, sipas meje, meritojnë të sqarohen. Këtu nuk bëhet fjalë për disa njerëz të shkretë, që kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar. Në shumë prej rasteve, nuk kemi të bëjmë as me banorë të zonës,” – tha Rama.
Kreu i qeverisë veçoi rastin e bujshëm të ndërtimeve të paligjshme para kishës historike të Thethit, duke theksuar se ata që i ngritën ato struktura nuk janë paraqitur për të pretenduar ndonjë të drejtë mbi to. “Policia e shtetit po merret me hetimin e asaj që është një pushtim kriminal i qendrës së Thethit, që është zemra dhe kartolina e njohur e këtij fshati turistik. Janë ndërtuar objekte që nuk janë për të futur kokën, por për qëllime fitimi,” – u shpreh kryeministri.
Rama u ndal gjithashtu në debatet publike rreth aksionit të IKMT-së, duke argumentuar se po tentohet të zhvendoset përgjegjësia tek institucionet shtetërore që nuk e kanë parandaluar ndërtimin pa leje në kohë. “Nuk mund të ketë një teori që amniston shkelësit e ligjit, duke ia hedhur fajin shtetit pse nuk i ka ndaluar më herët. Sigurisht që edhe strukturat e shtetit kanë përgjegjësi dhe ajo përgjegjësi është marrë përsipër, por kjo nuk i justifikon shkeljet flagrante,” – shtoi ai.
Në përfundim, Rama riafirmoi vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar me të njëjtën qasje në të ardhmen, me qëllim mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe të trashëgimisë natyrore e kulturore të vendit.