Vizita një ditë më parë në Theth e profesorit shqiptaro-amerikan, Pëllumb Pilinçi, ka qenë një ndër lajmet më të komentuara përgjatë së mërkurës.
I blinduar deri në “dhëmb”, me bodygard dhe automjet luksoz, Pilinçi takoi banorët e fshatit turistik të Thethit, të cilëve me urdhër të kryeministrit iu shëmben bujtinat e tyre pa leje, si dhe paralajmëroi Edi Ramën e premtoi krijimin e një qeverie të re.
Ndërkohë, një prej personave të cilët shoqëruan profesorin në këtë vizitë ka qenë edhe biznesmeni Rako Paja, i cili mesa duket dëshiron që t’i “rrëmbejë” postin ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukut.
Jo më larg se katër ditë më parë, para kësja vizite “rrufe” në Theth, moderatorja e emisionit të profesor Pilinçit, e kishte prezantuar Pajan në kanalin në “Youtube” si “Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë”.
“Përshëndetje miq të dashur të televizionit Shpresa. Sot kam nderin të kem në studio ministrin e Energjitikës dhe Infrastrukturës zotin Rako Paja. Përshëndetje zoti Paja.”, i thotë moderatorja, ndërkohë që biznesmeni ia kthen përshëndetjen, duke konfirmuar kështu edhe “postin” e tij.
Në një tjetër intervistë të dhënë në muajin qershor, në po të njëjtin kanal Youtube, “ministri” kishte shkuar edhe me “stafin” e tij. Ai u shfaq i shoqëruar nga zv.ministrja, një zonjë që u prezantua si Lindita Tela.
Rako Paja, biznesmeni nga Skrapari, ka arritur që të dominojë tregun e fotovoltaikëve në Shqiipëri, por dhe jashtë saj, pasi “shtrirja” e tij ka shkuar deri në tokën greke, në Qipro.
Ai rezulton që të jetë aksioner në të paktën 9 kompani të cilat merren kryesisht me ndërtimin e centraleve prodhuese për prodhimin e energjisë së rinovueshme fotovoltaike.

Paja, mësohet të jetë aksioner në këto shoqëri, ku në disa me përqindje më të lartë aksionesh dhe në disa të tjera më pak, ndërkohë që partner në këtë aktivitet rezulton të jetë dhe Ioannis Titakis, i njohur si Tano Karidi, një shtetas grek që përfaqëson një trust shoqërish në Qipro.
Tre vite më parë, vetë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nga afër një nga investimet në Dibër, sa i përket prodhimit të energjisë nga dielli.
Bëhet fjalë për veprën e ndërtuar nga kompania e parë e instalimit të impianteve fotovoltaike në Shqipëri, Eco Energia me një kapacitet prej 250 Kë në një një biznes në Maqellarë, Dibër.
Ishte vetë Rako Paja ai i cili i prezantoi nga afër Ballukut praktikën e zerimit të faturave të energjisë elektrike dhe matjen një herë në vit.

)