Në mënyrë të heshtur, Presidenti i Republikës dekretoi pak ditë më parë largimin nga detyra të përfaqësueses së Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare. Por sipas aktivistit Andi Tepelena, kjo nuk ishte thjesht një vendimmarrje formale nga Tirana – Kadare është shkarkuar realisht nga vetë UNESCO, pasi nuk ka dhënë llogari për shkeljet e rënda të standardeve të mbrojtjes në pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, konkretisht në Tushemisht.
Sipas Tepelenës, modeli që po ndiqet është i njëjtë me atë të Butrintit – një koncesion i mbështetur nga AADF që shkel jo vetëm normat e UNESCO-s, por edhe Kushtetutën dhe ligjin për trashëgiminë kulturore e natyrore. Pas fasadës së investimeve, fshihet një privatizim i heshtur dhe i dirigjuar politikisht i pasurive natyrore.
Thethi shkatërrohet, Driloni ndërtohet: standarde të dyfishta
Ndërsa në Theth, bujtinat që u ndërtuan pas thirrjes personale të Kryeministrit për të zhvilluar turizmin u shkatërruan me dhunë nga IKMT dhe Policia në kulmin e sezonit turistik, në parkun e mbrojtur të Drilonit ndodh e kundërta.
Në këtë zonë të mbrojtur, ka nisur ndërtimi i një kompleksi luksoz, “Pyjet e Drilonit”, pa leje, nga kompania “Kontakt&Magnet IMO”, në pronësi të dy emrave të njohur për afera ndërtimi dhe hetime penale: Fatmir Bektashi dhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndërkohë që në Theth IKMT shembte bujtinat, në Drilon vijojnë punimet për pallate buzë liqenit dhe reklamimi i tyre në rrjet, pavarësisht mungesës së lejes ndërtimore – një leje për të cilën është aplikuar vetëm në shkurt 2025.
Institucionet – nga Bashkia Pogradec e deri te Ministritë përkatëse – nuk reagojnë, as IKMT, as Policia, as SPAK. Sepse ndryshe nga bujtinarët e thjeshtë të veriut, këta ndërtues janë të mbrojtur politikisht, të “lejuar”.
Modeli i Rilindjes: Kush nuk i duhet më, shkatërrohet. Kush duhet, ndërton ç’të dojë.
Ky nuk është një rast i izoluar, por një model i përsëritur. Rasti i resortit të Olta Xhaçkës në Himarë, kullat pa leje në qendër të Tiranës, dhe tanimë ndërtimet në Drilon tregojnë se pushteti aplikon një filozofi të qartë: shkatërrim për të vegjlit, leje dhe mbrojtje për klientelën.
Në një Shqipëri ku ligji zbatohet me urdhër politik, UNESCO paralajmëron, por qeveria vijon rrugën e vet – duke “konçesionuar” trashëgiminë kulturore dhe mbyllur sytë para ndërtimit të paligjshëm. Shkarkimi i Besiana Kadares është veç një simptomë e këtij realiteti: një regjim që zgjedh të heqë qafe dëshmitarët, jo problemet.