TIRANË/FIER/ROSKOTEC – Kur Bella ja propozoi për herë të parë Të Gjatit emrin e Zegjinesë si kandidate deputetare myzeqare, ky nuk e fshehu skepticizmin, edhe pse ishte ai vetë që kishte kërkuar kandidatë anonimë, të rinj dhe që s’i njihte as farefisi i vet.
“Nuk e di, shtrigë, nuk më duket kontemporane”, i tha, “edhe 26 vjeçe, edhe Zegjine, diçka më stonon. Sikur i mungon koloriti, e kuqja e Onufrit, më kupton?”
Dhe meqë kishte pak kohë në dispozicion, I Gjati nisi një persiatje onomastike me zë të lartë.
“Po ta kishte emrin Zeqine, e kuptoj që është femërorja e Zeqos. Bile po ishte majë thanës akoma më mirë. Edhe po ta kishte Zengjine, domethënë pasanike, edhe këtë e kuptoj, sepse edhe ti Bella, tek e fundit je zengjine. Po ky shartim ‘ne carne – ne pesce’, nuk shkon fare”.
Dhe i kërkoi Bellës detaje sesi dhe përse e zgjodhi Zegjinenë.
Ajo që dëgjoi e mahniti.
***
Ishim në një mbledhje të emergjencave civile në bashkinë e Roskotecit, filloi tregimin Bella, “po aty kotec mo, e di ti. Plasi një debat mbi emergjencat, dhe një moment u çua kjo goca dhe i tha dikujt: Shiko se me këto që po thua, në hazmën që karakterizon muskujt glutealë po konstatoj një dinamikë me kah zgjerues si pasojë e mjerimit vokabular dhe ideor të propozimit tënd!
U shastisa dhe e pyeta se çfarë donte të thoshte. “Me terma teknikë dua të them që ky tipi na çau b…!” tha Zegjineja, dhe aty e kuptova kapacitetin e saj intelektual! Këto asete nuk duhen humbur”.
Të Gjatit iu zgjeruar bebja e syrit, siç i ndodhte rëndom kur surprizohej, dhe ndërroi mendim në çast.
“Ta marrim partizane! Qenka shpuzë dhe erudite njëherësh. Sa për emrin, nuk na prish punë. Se edhe emri yt i gjatë, Belinda, nga dikush mund të interpretohet si Belaja e Lindës, po kjo nuk qëndron, apo jo?”
Dhe e pa në dritë të syrit. “Jooo shef, largqoftë,” tha e zënë ngushtë Bella dhe i mblodhi dosjet e iku.
***
E gëzuar sa më s’ka, juristja e re Zegjine nisi fushatën elektorale, e vendosur që të binte sa më shumë në sy. E ngriti stekën lart dhe nga kundërshtarët, caktoi si shënjestër vetë Baz Gardhin, ashtu si Ardi Bidoni në Vlorë e nisi duelin direkt me Doktorin, pa pranuar asnjë gradë më poshtë.
Ky ishte momenti që Zegjineja u bë e njohur kombëtarisht. Me fjalorin e saj të larmishëm prej 120 fjalësh në kohë me diell (se dihet shkencërisht që fjalori rrudhet në kohë të keqe) dhe me synimin që të bëhej zengjine, juristja mblidhte ca goca gjimnazi dhe inskenonte në trajtë kukumjaçkoidale, video ku merrej nëpër gojë Gardhi i shkretë.
“E morët vesh moj grani, moj korbani, Baz Gardhi na ka sharë”, niste ligjërimin Zegjineja, dhe gocat kukuriseshin njësoj si stërgjyshet e tyre vaktit duke thurrur çorape leshi për partizanët. Vetëm se këto, ngaqë as ja kishin idenë shtizave, dhe as nuk donin të prishnin thonjtë, bënin llogje duke parë celularin ose duke shënuar në bllok fjalët si rruaza të shoqes kandidate.
***
Videot u bënë virale. Në fillim Zegjineja u shqetësua, se sapo e kishte kaluar një grip, por i thanë se virale ishte fjalë e mirë. Atëherë nisi t’i binte edhe më fort Gardhit, që tani e ka zënë frika dhe nuk afrohet as te gardhi i Myzeqesë. Nja dy herë që zbriti në Fier i ziu, udhëtoi natën me emrin e rremë Dash Sula, bëri ca mbledhje ilegale dhe iku që pa gdhirë.
Bella ndërkohë, është krenare për listën e Fierit. Sepse përveçse ka futur në vendet e sigurta njerëzit e saj, gjithë pjesën e tjetër e ka zgjedhur bazuar në emrat e rrallë, si Maldrita, Ramion, Kiduina dhe Asflorar. Por mbi të gjitha është krenare për Zegjinenë. Sepse i kujton veten kur bredh nga kantieri në kantier dhe u jep udhëzime inxhinierëve për veprat e pesëvjeçarit.
“Tek e fundit,” thotë ajo kur e pyesin, “Myzeqeja ka traditë në nxjerrjen e politikanëve të shquar që i marrin nga stallat e lopëve drejt e në Byronë Politike!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që nuk ka asgjë kundër zengjinëve, mjafton që ata të kenë erudicionin dhe sofistikimin estetik të Zegjinesë